E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresa nuk shënon, vetëm 1 pikë me Azerbajxhanin

Barazim pa gola për ekipin e 21-vjeçarëve në stadiumin e Vlorës. Një rezultat zhgënjyes për tanët

Përfundon me një barazim pa gola aventura e ekipit të 21-vjeçarëve të Shqipërisë, drejtuar nga trajneri Bushati, një barazim që gjithsesi e ngjit ekipin tonë në kuotën e 12 pikëve, duke e mbajtur edhe vendin e katërt në grup. Ndeshja e luajtur në Vlorë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit nuk ka dhuruar shumë emocione, ndërsa thuajse të dy ekipet kanë qenë konfuze në kërkimin e golit, ndërsa gabimet kanë qenë prezente nga të dy skuadrat në fushën e lojës. Pjesa e parë ka qenë totalisht e vakët, me shumë pak raste për shënim nga të dy ekipet, edhe pse deri në minutën e 20 të miqtë kanë qenë më të qartë në lojën e tyre. Pikërisht pas vetëm 30 minutash lojë Bushati kryen edhe zëvendësimin e parë, por 45 minutat e para nuk dhurojnë thuajse asgjë për të dy ekipet në fushën e lojës, ndërsa gjyqtari lituanez bëhet protagonist me kartonët e verdhë. 45 minutat e dyta janë më të mira, ndërsa të paktën në fushën e lojës është parë më shumë grintë dhe dëshirë për të sulmuar në portat respektive. Ekipi shqiptar, pas minutës së 25 të të kësaj pjese, është i detyruar madje të luajë edhe me 10 lojtarë, kur një ndërhyrje e sulmuesit Sukaj ndaj Nadirovit është konsideruar shumë e rrezikshme, ndërsa lojtari është ndëshkuar me karton të kuq. Por pikërisht me 10 lojtarë në fushën e lojës Shqipëria ka mundësitë më të mira për të shënuar, fillimisht me Likën, që është treguar egoist, kur nuk ka pasuar për Filipin krejtësisht të lirë, por ka goditur vetë, ndërsa rasti i dytë nga sulmuesi i futur në pjesën e dytë Filipi, që nuk ka mundur të kalojë dot portierin mik. Edhe miqtë kanë qenë gjithsesi të rrezikshëm në disa momente, kur numri 10 Mamadov është një ngacmim i përhershëm për mbrojtjen, ndërsa vetëm pak minuta nga fundi Nadirov godet bukur ngjitur me shtyllën. Sinjalizimi i fundit i gjyqtarit shënon shifrat 0 0, ndërsa ekipi i 21-vjeçarëve nuk ka arritur ta mbyllë më një fitore këtë edicion, por që pa dyshim, pavarësisht rezultatit të sotëm, duket se paraqitja e bërë në këtë edicion mund të quhet pozitiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›