Shpresa që do të nisë dëshpërimin e opozitës
Ditët e fundit Berisha po përpiqet, jo dhe aq pa sukses, të transferojë debatin politik në opozitë duke bërë kujdes që ta paraqesë këtë debat si një rreth vicioz pa rrugëdalje të opozitës. Në fillim përdori delfinët e tij tradicional, ndërsa tani ka filluar të fetishizojë debate brenda medies së pavarur joqeveritare që shprehin rezerva për aspekte të ndryshme të jetës opozitare në vend. Por, mbi gjithë këtë ngazëllim gati pervers të Berishës për debatin brenda opozitës, shquan një linjë, e cila sadopak paranojakë të jemi, është qartazi një linjë e inkurajuar prej tij. Dhe kjo ka të bëjë me të konsideruarit e LSI si shpresë për ndryshimin e pushtetit në Shqipëri. Kjo thuhet në çdo tavolinë të delfinëve të Berishës në opozitë, thuhet në çdo masturbim politik të vetë njerëzve të LSI, dhe së fundmi po artikulohet dhe nga disa opozitarë apo komentatorë afër opozitës.
Ky debat është pervers. Pikësëpari është perversitet politik, pasi kërkon të fetishizojë dhe të ngrejë një sistem vlerash bazuar mbi antivlerat më të mëdha që ka prodhuar ndonjëherë politika shqiptare, dhe që është profili politik i LSI. E formuar si një parti gjobëvënëse, me një lider të filmuar si një batakçi i denjë për filma Hollivudi, me një mentalitet grabitës dhe mungesë të thellë respekti për paratë publike, LSI është sot antivlera më e madhe politike që ka prodhuar historia e politikës shqiptare. Fakti që Sali Berisha ka bërë aleancë me këtë bandë grabitësish të pasurive publike të shqiptarëve, konsiderohet apriori si vlerë, dhe këta tipa po nxisin opozitën të vihet në garë kush i do më shumë këta banditë, opozita apo Berisha. Kjo i heq kuptimin tërësisht të qenurit në opozitë dhe diferencës me një pushtet grabitqar. Nëse gara është se me kë do vjedhë Ilir Meta, me Aldo Bumçin apo Besnik Baren, shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të dalin nga shtëpia për të votuar, pasi nuk bëhet fjalë për ndryshim morali, por për ndryshim hajdutësh. Në këtë histori as Berisha nuk është e keqja më e madhe, pasi duket sikur ai po vjedh i detyruar nga LSI dhe po ja mori opozita LSI ai nuk ka çfarë të vjedhë dhe ikën nga pushteti. Kjo është një barbari politike, e cila duhet mbajtur sa më larg opozitës, bile po të kemi mundësi sa më larg Shqipërisë. Kjo opozitë po paguan një taksë të madhe mes të tjerash pse Berisha ia ka dalë në një farë mënyre ta barazojë me vetveten, ta ndyjë njësoj sikur është ndyrë vetë dhe të zhdukë diferencat morale me të. Ky debat synon pikërisht këtë gjë, pikërisht të thuhet se opozita nuk është e shqetësuar pse mafia ka kapur vendin dhe pse Shqipëria është peng i një Familje, por thjesht se do që ajo të jetë në vend të Sali Berishës në këtë proces.
Ky përfytyrim semplist i shifrave dhe numrave për të kalkuluar ardhjen në pushtet, është fyes për pjesën më të madhe të shoqërisë, e cila i beson ndryshimit të qeverisjes dhe politikës, dhe jo ndryshimit të listës së hajdutëve. Kush gjykon në këtë mënyrë e merr shoqërinë shqiptare në bllok dakord me opozitën me çdo veprim të saj dhe tani na kanë ngelur dhe disa shifra që duhet ti gjejmë andej- këtej. Kjo është shumë fyese. Opozita është në opozitë se është tradhtuar pikërisht në bazën morale mbi të cilën i është kërkuar vota shqiptarëve më 2009. 70 për qind e shqiptarëve kanë votuar kundër Sali Berishës, por pastaj kombinimet politike të LSI dhe delfinëve të Berishës në PS e lanë pushtetin tek Berisha. Tani kjo histori nuk mund të përsëritet. Ka mijëra shqiptarë që do ta donin ta shikonin në qeveri Edi Ramën dhe opozitën e tij, por shumë prej tyre do të hiqnin dorë menjëherë nga vota pro opozitës nëse do tu thoshe sot se drejt betejës do të shkojmë me Ilir Metën në krah. Votat tribale të 50 mijë shqiptarëve të blera me lek dhe korrupsion, që mbajnë siglën LSI, mund ti heqin opozitës 200 mijë vota të shqiptarëve të ndershëm që nuk pranojnë të dalin nga shtëpia për të rivotuar një bandë plaçkitësish. Kush e përfytyron popullin opozitar si një tufë bagëtish që rrinë në radhë për të pritur ushqimin e pushtetit, gabon. Mes qindra mijëra opozitarëve në këtë vend, 50 deri 70 mijë prej tyre mund të jenë nëpunës që duan një vend pune nga ndryshimi i pushtetit. Mbi 500 mijë të tjerë nuk duan asgjë, duan thjesht të marrë fund kjo barbari dhe vendit ti ngjallet shpresa. Nuk duam asgjë ne që po rezistojmë përballë Sali Berishës. Nuk duan asgjë qindra mijëra shqiptarë që refuzojnë ta shikojnë dhe në ekran të televizionit atë plak të rrjedhur që po rrënon Shqipërinë. Nuk duan asgjë mijëra të tjerë që i kanë fëmijët jashtë Shqipërisë pa shpresën e rikthimit nga plaçkitja e përditshme e këtij vendi. Opozita nuk mund të flasë me gjuhën e nëpunësve dhe rrogëtarëve të saj, por me gjuhën e popullit opozitar, i cili fuqinë e ka tek shpresa dhe jo tek rroga. Ndaj kush mendon se shpresa vjen nga ata që kanë vrarë shpresën, gabon rëndë. Ky vend ka nevojë për një opozitë që të bëjë diferencën me këtë bandë që është në pushtet. Unë mendoj se zgjedhjet e lira e zgjidhin menjëherë këtë dilemë të shqiptarëve, por do të pranoja të rrija dhe 50 vjet në opozitë vetëm për të qenë i ndryshëm nga Ilir Meta dhe Sali Berisha në qeverisjen e tyre.
Dhe së fundmi do të doja tu kujtoja burokratëve të opozitës që e përjetojnë këtë kohë si kohën e rrogave të humbura, apo biznesmenëve që e konsiderojnë si kohë të shanseve të humbura për tendera, se sirenat që i ftojnë të dalin në brigjet e pista të pushtetit këndojnë për të zezën e tyre. Unë i kuptoj më mirë se kushdo tjetër ata biznesmenë që Sali Berisha me lista të hartuara nga Ilir Meta dhe Kastriot Islami i ka denigruar dhe po i çon drejt falimentimit. Jam vetë një viktimë e pamëshirshme e bandës së Sali Berishës dhe Ilir Metës. E di çdo të thotë të përballesh me mentalitetin klasor dhe banditesk të tyre. Por sirenat e tyre nuk bien për të rikthyer dinjitetin biznesmenëve që i kanë përgojuar dhe shkatërruar financiarisht. Ato bien për ti pushkatuar pa dinjitet. Ato bien që ata të ndjejnë kënaqësinë perverse të putinizmit të vendit dhe vendosjes në rresht të gjithë medies dhe faktorëve opozitarë për një lugë supë në kuzhinën e Familjes Bamirëse të Sali Berishës. Unë i kuptoj dilemat që kanë shumë biznese dhe media kur bëjnë diferencën me miliardat që shkojnë tek Zamiri, Bashkimi, Sandri, Gimja, apo plaçkitës të tjerë të oborrit, por i gënjen mendja se ka vend për të gjithë. Ato sirena bien për ti bërë shërbëtorë të oborrit dhe jo zotërinj të tij.
Koha për të qëndruar në opozitë në këto momente, është mision dhe fat. Është mision pasi ua kemi borxh shqiptarëve që u premtuam demokracinë tua mbajmë ende ndezur këtë shpresë, dhe është fat pasi së paku nga kjo histori nuk do ta dalim me pengjet e të vrarëve në Gërdec, me pengjet e të vrarëve më 21 janar, nuk do tu lëmë fëmijëve hasmëritë e tokave të grabitura nga Familja, nuk do tu lëmë pasardhësve turpin e të qënit pjesë e degradimit të historisë së Shqipërisë duke e larguar atë nga dyert e Perëndimit kur ishim aq pranë tij. Shpresa se bashkimi me Sali Berishën dhe rrënimi i opozitës do të zgjidhë ndonjë hall biznesmeni, botuesi apo politikani opozitar, është dëshpëruese. Shpresa vjen nga diferenca me Sali Berishën dhe Ilir Metën, nga këmbëngulja për ti bindur shqiptarët se regjimi përmbyset nga të kundërtit e tij dhe jo nga të njëjtët.
