E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresat për lirimin e policëve, te ndërkombëtarët

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës shpreson që përmes presionit të faktorit ndërkombëtar, Beogradi te lirojë dy policët e saj të arrestuar të shtunën në rajonin e Merdarit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se çështja për lirimin e Shkuri Bunjakut dhe Sami Beqirit është ngritur tek instancat ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Serbisë.

Këtë çështje e kemi ngritur edhe në raport ndërkombëtar e edhe në pozicionin tonë si Qeveri përballë këtij veprimi makabër që e ka bërë Serbia, i cili është provokim i hapur dhe ndikon negativisht në raportet në tërësi, ka thënë Kuçi. Ne do të jemi të koordinuar plotësisht me faktorin ndërkombëtar, do të bëjmë presion që ata të lirohen pa asnjë kusht, ka shtuar ai.

Kuçi ka thënë se populli shqiptar i Kosovës nuk ka arsye të bjerë, siç e ka quajtur ai, në histeri për rastin e së shtunës. Është një veprim që paraqet një incident të rëndë për raportin ndërmjet dy shteteve, por në asnjë rrethanë populli shqiptar i Kosovës dhe institucionet e edhe politika e Kosovës nuk guxojnë që të bien në histeri për këtë rast, por do ti marrim të gjitha veprimet si shtet, ka thënë ai. Unë po ju them që Kosova do të jetë e përgjegjshme për veprimet e veta, edhe Qeveria e edhe qytetarët; rruga e zgjidhjes së këtyre problemeve është institucionale dhe është përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

Arrestimi i policëve kosovarë, KFOR-i nis hetimet

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë për të vërtetuar dhe hetuar rastin.

Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçic kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër. Sipas tij me kete veprim ata kishin shkelur marrëveshjen ushtarako – teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.

Derisa KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin rrembyer brenda territorit të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.

Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, ti shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e rrembyer. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë marre në territorin e Kosovës, thotë Rexhepi.

Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ndodhisë. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë – Serbi.

Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›