Shpresat për vendin
Përpara shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ka një tezgë të vogël në të cilën shet gjëra të ndryshme, varësisht prej stinës së vitit: çorape, shalle të ndryshme, kapela, stilolapsa... Është një burrë trupimët rreth të gjashtëdhjetave. Komunikon me zë të ulët, të qetë e dashamirës. Nuk i josh blerësit, por i pret mirë ata që afrohen te tezga e improvizuar që nuk zë më shumë se një metër katror vend. Është i dashur me fëmijët e shkollës që blejnë gjëra të rastit. Ka vite që shet në të njëjtin vend.
Para pak ditësh e pashë të rrinte aty vetëm.
- Si je?, - e pyeta.
- M’u ba keq, - më tha. Erdhën të inspeksionit dhe ma morën tezgën. Tash po rri qetu, po sillem. Nuk po kam çka boj.
- S’ke çka ban, - ia ktheva. - Punë e kanë. U pate mësu në këtë vend. Punojshe nga pak, - vazhdova dhe nuk dija si ta ngushëlloja, se më vinte keq për të. - Hajt se ndoshta bëhet mirë e ia gjen diqysh zgjidhjen, - u përshëndeta të largohem prej tij, sepse nuk dija si t’i ndihmoja. Pasi i bëra disa hapa, e dëgjova zërin e tij:
- A bon bre me t’vet diçka?, - më pyeti pasi më kishte ndjekur.
- Po, - ia ktheva, - pyet lirisht - dhe mendoja shpejt se a thua ndoshta do të më zinte ngushtë me ndonjë kërkesë.
- A po bahet mirë? A do të fiton Kosova në Gjyqin e Hagës?, - më pyeti.
- Hajt, hiç mos u mërzit, krejt mirë do të bëhet. Kosova më nuk mundet me humbë as në Hagë as kurrkund tjetër. Prejse na ka përkrahë Amerika, të gjithë punët janë krye, - ia ktheva unë i lehtësuar.
- Shumë faleminderës. Veç le të bëhet mirë. Por pak po tutna. Serbia hala asht e fortë, - ma ktheu.
I thashë disa fjalë të tjera, në stilin se punët e mëdha kanë përfunduar e tash duhet vetëm me pasë durim, me punu ngadalë e me mend dhe fillova të ec më shpejt, i lehtësuar se nuk pati ndonjë kërkesë personale, sepse më ndodh që njerëzit më ndalin në rrugë dhe kërkojnë t’u ndihmoj në zgjidhjen e ndonjë çështjeje sepse, si fytyrë publike që jam, mendojnë se mund të bëj ndonjë ndikim.
Duke u larguar nisi të më zinte ndjenja e turpit. Si ky njeri në hallet e veta, në momentin kur i rrezikohet buka e gojës, ekzistenca e familjes, e ka brengën e vendit. Më ndodh që përditë takoj funksionarë të ndryshëm. Shumë rrallë më ndodh që ndonjëri të ketë ndonjë shqetësim profesional apo të punës e të sektorit që mbulon. Zakonisht funksionarët kanë një dozë humori cinik, një nënqeshje dykuptimëshe, flasin për të tjerët, komentojnë deklaratat e oponentëve ose pyesin: - Çka po thotë populli? A po na lavdon?
Para një kohe, në një takim gjysmëzyrtar, më pyeti njëri nga funksionarët e vendit:
- Cili është mendimi yt për ne?
- Sinqerisht, - ia ktheva, - vendi ka kohë që nuk ka pasur udhëheqje më të keqe, mirëpo ata që po presin te dera, janë dhjetë herë më të këqij se ju...
Duke menduar për gjërat e mëdha, duke menduar në makroplan, në vizion, vendit tonë, veçanërisht udhëheqjes, mendoj se po i mungon entuziazmi, po i mungon ideali, përkushtimi dhe sakrifica për idetë e mëdha. Udhëheqësit janë bërë pragmatikë deri në cinizëm ose deri në tallje. Nuk brengosen pothuaj për asgjë. Gjërat i shohin nëpërmjet prizmit personal, familjar apo partiak. Këtë interes mandej e shesin si interes kombëtar apo interes të vendit. Vendi kapërceu nëpër disa qeveri, populli i njohu me dhjetëra ministra të të gjitha lëmive. Pothuaj asnjeri nuk mbahet mend për asgjë. Asnjeri nuk ka hyrë në historinë e vendit për ndonjë vepër që mbahet mend, për ndonjë punë, ndonjë aktivitet të zhvilluar për të cilën njerëzit do ta ndalnin në rrugë, do ta përshëndesnin e do ta falënderonin. Ish-ministrat sot i takon në rrugë, si njerëz fare të zakonshëm që askujt nuk i bëjnë asnjë përshtypje. Janë humbur në përditshmërinë e ngjarjeve.
Ideali, përkushtimi, ndershmëria, si motive për t’u marrë me politikë, sot janë humbur, konsiderohen anakronike, madje të pavlera e edhe pengesë për të bërë një karrierë të suksesshme. Për të mbajtur funksion dhe për të përfituar materialisht. Këto tash janë bërë vlera, këto janë synim dhe këto janë matje për sukses apo mossukses. Gati nuk mund të ketë politikan apo funksionar që jeton ndershmërisht nga paga dhe nga puna e vet. Lloji përcakton kriteret e mbetjes në grup, të klientelizmit dhe të pasurimit të menjëhershëm...
Unë mendoj se me të gjitha ngecjet, në të gjitha segmentet, të mbetjes mbrapa të tjerëve, vendi prapëseprapë po ec përpara dhe po shkon drejt integrimit në rrjedhat evropiane. Këtu e shoh shpresën dhe këtu e shoh zgjidhjen. Në periudhën pesëmbëdhjetë-njëzetvjeçare njerëzit dhe vendi do të jenë në një hapësirë të re, në konkurrencë tjetër, në vlera që individualisht, por edhe si regjion, do të përballojmë në mos më mirë se të tjerët, sigurisht në një mesatare të të tjerëve. Duket se hapësira më e madhe, konkurrenca me të tjerët, shikuar historikisht edhe në perandoritë e mëdha, neve na përshtatet dhe na del rezultative. Aty shpalosen vlerat e njëmendta, aty shpërthen individualiteti i secilit, i dobishëm për vendin dhe për popullin...
Shpresa, vullneti, besimi... përgjegjësia ndaj të përgjithshmes, karakteristikat e personalitetit të shitësit të rrugës është ajo fryma që e mbajti gjallë popullin, që e çoi përpara dhe që e bëri t’i kapërcejë ato që dukeshin të pakapërcyeshme. Kjo nuk vërehej, madje nënçmohej nga zaptuesit, që ziheshin në befasi nga ky shpërthim i përnjëhershëm i vlerave të idealit, i mbetur gjallë pikërisht te njerëzit e zakonshëm.