Sipas gjykatës, Berisha tha të vërtetën me zë të lartë
Nuk ishte sulm ndaj biznesit, nuk ishte shpifje, nuk ishte akuzë që kishte lindur ca si nga hiçi, por qenka një e vërtetë e cila në pak ditë u provua nga Gjykata e Tiranës. Kaloi disi në hije e në heshtje një vendim i Gjykatës së Tiranës që rrëzoi pretendimin e Ilir Matës, kunatit të deputetit socialist Dash Peza dhe i la të hapur rrugën Inspektoratit Kombëtar të Policisë Ndërtimore që të shembte pallatin dhe t’u kthejë rrugën, pronën publike qytetarëve të Tiranës. Nuk kam parë asnjë konferencë shtypi nga selia e Partisë Socialiste, as nga të zgjedhurit që në vend se të hyjnë në Parlament detyrohen mbrapsht në truproja të një godine, thua se nga ajo buron e ardhmja e tyre politike apo financiare.
Gjyqtarja Arjana Caco, e cila ka shqyrtuar dosjen, e ka konsideruar të pabazuar në ligj kërkesën e kreut të shoqërisë së ndërtimit TTA-ALBA-LAM sh.p.k. Ky pallat është i ndërtuar në një hapësirë publike, konkretisht në rrugën lidhëse të një lagjeje në qendër të kryeqytetit, duke zënë pjesën tërësore të saj. Mata dorëzoi kërkesën për ndërprerjen e aksionit të Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit, pas prishjes së 3 prej 12 kateve të pallatit më 7 dhjetor 2009. Biznesmeni që çoi thuajse gjithë grupin parlamentar të PS-së me shërbim roje për ca kate me shumë, në padinë dorëzuar në gjykatë kërkonte të shpallej i pavlefshëm akti administrativ për prishjen e pallatit si dhe të ndërpritej aksioni. Por, gjykata i ka thënë jo kësaj kërkese, duke shqyrtuar dosjen dhe i ka lënë udhë të lirë inspektoratit. Këtu nuk kemi aspak të bëjmë me lakmi apo një urrejtje të shkuar ndaj biznesit. Aspak s’ka gjasa të jemi në një situatë të ngjashme, por zyra nga ku jepet drejtësi ka konfirmuar në pak ditë atë që Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar me dosje, me prova konkrete. Zëlartit e selisë rozë qofshin dhe ish-demokratë OMGJ nuk duhet vetëm të jenë zëshuar sepse kanë përballë një vendim gjykate që flet për frikën që është denoncuar.
Deputetët e majtë që e konsideruan aksionin si sulm të Kryeministrit Berisha ndaj opozitës, janë disi pa alibi tani dhe e vetmja përgjigje e përkohshme është apelimi në shkallën e dytë të gjyqësorit, me shpresën mos gërmojnë ndonjë shtyrje afati sa të marrin masa zhurme e protesta pranë ndërtesës, duke konfirmuar se interesi i tyre është përfitimi sado paligjshmërisht të këtë qenë rruga e grumbullimit të parave. Kryeministri ka provuar atë që ka rëndësi jetike se interesat e qytetarëve janë dominuese dhe kanë përparësi absolute dhe frika që ka zënë poseduesit e 750 milionë eurove abuzime është shumë e madhe. Ka denoncuar disa herë deputeti i zonës së minibashkisë nr. 1 në Tiranë, Florion Mima, një tjetër abuzim me pallate mbi prona të vjedhura në lagjen “Ali Demi” dhe qindra kate e mijëra metra katrorë ndërtim, si një grabitje prone do të jenë pjesë e shqyrtimit të ligjit nëpërmjet gjykatës. Ndërkohë që një tjetër akuzë, po të qeverisë, për pallatet e paligjshme e ka konfirmuar me vendim Bashkia Durrës, e drejtuar nga kryetari socialist Vangjush Dako, që ka marrë vendim dhe ka akorduar një fond prej 130 milionë lekësh të vjetra për të shembur shtatë kate pa leje të një ndërtese në qendër të qytetit. Ndaj, akuzat e Berishës po provohen me një shpejtësi të madhe, duke qartësuar qytetarët se nuk kemi të bëjmë me shpifje, por me të vërteta që rëndojnë mbi paratë që u janë vjedhur pronat që u janë grabitur, të drejtat e shkelura nga njerëz që kanë shpërfillur ligjin. Gjykata me vendimin e fundit për vitin 2009 provoi se Rama kërkon me ngulm hapjen e pahapshme të kutive, për të qëndruar sa me tepër në fokus të një argumenti të pabazuar në ligj, thjesht që të krijojë idenë sikur shembja e pallateve të miqve të tij politikë është një hakmarrje. Por gjykata ka prerë mundësinë e fundit për të thënë gënjeshtrën e fundit këtë vit të trazuar politik, duke na treguar se zhurma e kutive e ka një hall, atë të fshehjes së pasurive. Kjo shoqërohet dhe me përpjekje titanike të Ramës që tek-tuk ndonjë ambasador “dashamirës” me Ramën, të thotë ndonjë fjalë për korrupsionin që duhet të luftojë qeveria, por asnjëri prej tyre nuk ka shkuar deri te fjalia që akuzat e Berishës të provuara tani edhe nga gjykata përbëjnë më shumë se korrupsion, përbëjnë një vepër penale që ndëshkohet jo pak. Ndaj, media në shumicën e saj e zënë në grackë, në kurthin e vjetër të hatrit politik, ndaj kryebashkiakut mjeshtër të përdorjes nuk i dha këtij lajmi të rëndësishëm jopolitik, por që provonte një akuzë bërë nga politika, më shumë se tre rreshta dhe vazhdonte me pretendimet e apelimit. Mirë do të ishte që kjo ngjarje që ka përfunduar në gjykatë, të ndiqej me shumë detaje, me më tepër transparencë, duke përkthyer këtë herë në këtë rrallësi prove faktin që akuza provohet, por fajtori nuk ndëshkohet. Kjo duhet të shërbejë për qytetarët që dhënia e drejtësisë të kthehet në realitet dhe ne mund të trembemi gjithnjë e më pak nga pushteti. Me këtë vendim Berisha provoi se e ka thënë të vërtetën me zë më të lartë se askush tjetër nga mazhoranca dhe opozita. Nëse servilët, apo inatçorët nuk ndihen mirë, le të shohin se si i kanë vënë pasuritë, se pse Berisha gjendet aty për të folur sërish më zë të lartë e duke iu referuar vendimit të gjykatës, ka thënë të vërtetën pikë për pikë. Nuk mundet që konferenca e shtypit e fundit e Ramës të kërkojë përsëri hapjen e kutive. Tani e kërkon jo në protesta por në selinë e tij në një sallë konferencash që nuk e mbush dot me mbështetës për këtë argument, as duke shtuar gazetarët që të detyruar profesionalisht me të drejtë zënë karriget e tyre. Nuk rikthen qetësi as duke alarmuar për krizën thjesht për të larguar nga miliarderët rrotull tij frikën e krizës që ata i ka kapur nga e shkuara.