E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi ndaj Dritan Dajtit, rrëzohen kërkesat e të pandehurit

Ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca e parë ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë më 7 gusht në Durrës. Seanca zgjati vetëm për pak minuta, ku nga pala mbrojtëse iu paraqitën gjykatës dy kërkesa. Vetë i pandehuri Dajti mungoi ditën e djeshme, ndërsa ishte i pranishëm kunati i tij, Erges Xhoxhi dhe ish-punonjësi i policisë Mariglen Muçaj. I pari akuzohet për bashkëpunim në krim, ndërsa Muçaj për shpërdorim detyre.
Avokati mbrojtës i të pandehurit Dajti Arben Qeleshi i kërkoi trupit gjykues ripërsëritjen e fletëthirrjes për Dajtin, pasi sipas tij, ishte hartuar në mënyrë jokorrekte. Por gjykata vlerësoi se fletëthirrja ishte konform rregullave dhe vetë Dajti kishte refuzuar ta firmoste atë duke bojkotuar dhe pjesëmarrjen në seancën e sotme gjyqësore. Kërkesa tjetër ishte ajo e verifikimit të gjendjes shëndetësore të Dajtit, e cila gjithashtu u rrëzua nga gjykata, pasi i pandehuri ka qenë i vetëdijshëm dhe në gjendje koshiente, pasi është vënë në dijeni për fletëthirrjen dhe me ndërgjegje nuk e ka firmosur atë. Seanca e radhës është dhënë në fillim të janarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›