E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqetësimi për bazën ruse në Serbi

Një valë e re dyshimesh nga shumë qarqe diplomatike dhe strategjike perëndimore e shoqëroi aktin e përurimit zyrtar më 17 tetor të bazës ruse të emergjencës në qytetin e Nishit në Serbi. Kaq të mëdha janë këto dyshime, sa që edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i brendshëm i Serbisë edhe ministri i jashtëm i Serbisë edhe ministri rus i Ministrisë së Emergjencave Civile, të cilët ishin të pranishëm në ceremoni, njeri pas tjetrit në fjalimet e tyre u përpoqën të çvleftësojnë dyshimet perëndimore dhe të krijojnë përshtypjen se ajo nuk do të jetë një bazë ushtarake ruse, por vetëm një bazë humanitare emergjencash, e cila ndërtohet për të ndihmuar vendet e rajonit dhe Europën. Zëvendëskryeministri I. Daçiç manifestoi një nervozizëm jo të zakonshëm ndaj dyshimeve perëndimore për bazën ruse, kur iu drejtua gazetarëve me deklaratën se " askush nuk ka të drejtë të na japë leksione se me cilin duhet të bashkëpunojmë. Do të ishte e drejtë legjitime e Serbisë për të ngritur një bazë ushtarake, nëse do të donte".
Në çdo dekodim diplomatik bëhet e qartë se ky nervozizëm dhe kjo fushatë përgënjeshtrimesh qeveritare, qoftë nga rusët, qoftë nga serbët, shprehin dështimin e Moskës dhe të Beogradit për të bindur perëndimin se baza është thjesht për emergjenca humanitare. Ato zbulojnë realitetin e një shqetësimi të brendshëm ndërkombëtar për këtë lëvizje të re strategjike të Moskës në Ballkan. Gazeta serbe "Blic" shkruante më 19 tetor se "qendra e parë humanitare, që Rusia ndërton në Nish, ka shqetësuar përfaqësuesit e NATO-s dhe të SHBA-së në Beograd". Përurimi, që iu bë bazës, vjen dy vjet pas marrëveshjes mes Rusisë dhe Serbisë për ndërtimin e kësaj baze, nënshkruar gjatë vizitës së presidentit Dimitri Medvedev në Beograd, në tetor të vitit 2009. Është e para bazë e këtij lloji, që Rusia ndërton në Ballkan dhe në Europë. Shumë pikëpyetje kanë shoqëruar gjithë këtë periudhë të ndërtimit të kësaj baze se përse Moska nuk e ndërtoi në Bjellorusi, në Ukrainë apo në Moldavi, por zgjodhi pikërisht Serbinë dhe Ballkanin, në një kohë që Ballkani nuk ua ka kërkuar atyre këtë kujdes. Mbetet pa përgjigje logjike pyetja se përse do të kenë nevojë vendet e Ballkanit, që janë shumica e tyre anëtarë të NATO-s dhe të BE-së, të futen nën çadrën e një protektori të ri emergjencash si Rusia, kur janë anëtarë të dy organizatave më të fuqishme dhe më të pasura teknologjikisht dhe financiarisht në botë, dhe kur NATO dhe BE kanë mekanizmin më të përkryer të menaxhimit të emergjencave civile. Ndërtimi i një baze të madhe rajonale në Serbi paraqet një hap të ri strategjik të Rusisë për një politikë më dinamike dhe më agresive të shtrirjes së influencës së saj në rajonin tonë.
Është e kuptueshme se Rusia nuk mund të ndërtojë hapur një bazë ushtarake në Ballkan, gjë që do të përbënte një provokacion të drejtpërdrejtë të saj ndaj NATO-s dhe ndaj BE-së. Nuk mund ta ndërtojë edhe për faktin se Serbia, e cila është i vetmi shtet ballkanik aleat strategjik i rusëve, ku ata mund ta ndërtojnë një bazë të tillë, zyrtarisht ka adoptuar doktrinën e neutralitetit ushtarak, e cila u miratua me qëllimin që të ndalojë hyrjen e vendit në NATO, por që juridikisht pengon gjithashtu edhe vendosjen e një baze ushtarake të Rusisë. Në këto kushte, Rusia dhe Serbia ranë dakord të përdorin etiketën e "bazës së emergjencave humanitare" për të justifikuar ndërtimin e kësaj baze. Por etiketa e "emergjencave humanitare" rezulton tepër e konsumuar për të mbuluar një program dhe një objekt të karakterit ushtarak dhe zbulues. Sipas burime diplomatike nga Beogradi, në bazën e Nishit do të dislokohen rreth një mijë ushtarakë dhe në të do të vendosen njësi të përhershme ushtarake ruse. Rusia i ka prej kohësh disa njësi ushtarake të xhenjos në Serbi dhe ministri rus njoftoi më 17 tetor se Rusia do të zgjasë edhe pesë vjet të tjera qëndrimin e njësive ushtarake ruse të xhenjos në Serbi, për të çminuar minat, që nga Lufta e parë Botërore. Kjo është një formë e pranisë ushtarake ruse në Serbi. Forma tjetër do të jetë ajo e njësive ushtarake të aviacionit dhe të ndërhyrjes së shpejtë të Ministrisë Ruse të Emergjencave Civile, ministri e cila është përdorur jo vetëm për emergjenca civile, por edhe për operacione ushtarake në Kaukaz. Në "Planin e Veprimit për mekanizmin e menaxhimit të emergjencave ndërkombëtare", të hartuar nga Ministria ruse e Emergjencave, thuhet se "Qendra humanitare në Serbi mund të konsiderohet si një bazë e mekanizmit paneuropian të sigurt dhe të sigurisë me rastin e fatkeqësive dhe të krizave të përmasave të mëdha". Vetë përfshirja e objektivit të "përdorimit në rastet e krizave" krijon dhe lejon hapësirën e përdorimit të kësaj baze për veprimtari jashtë fushës humanitare, sepse në krizat mund të përfshihen që nga ato politike, shoqërore, ushtarake, diplomatike e deri tek konfliktet lokale.
Ndërtimi i kësaj bazë nga Rusia në Serbi lidhet me dy momente të rëndësishme në jetën e Ballkanit. Momenti i parë është pavarësimi i Kosovës dhe gjeopolitika e re, që u krijua në Ballkan me shtetin e ri të pavarur. Momenti i dytë është programimi i vendosjes së sistemit të mburojës antiraketë të NATO-s në Ballkan dhe vendosja e elementeve të parë të këtij sistemi në Rumani. Rusia kërkon të përgjojë dhe të monitorojë hapësirën ballkanike dhe të survejojë lëvizjet dhe informacionet e NATO-s dhe të vendeve të NATO-s në rajon, veçanërisht sistemin e mburojës raketore atlantike në Rumani dhe në Bullgari. Ministria ruse e Emergjencave Civile është një simotër e Ministrisë së Brendshme ruse dhe koperturë e shërbimit të fshehtë të Rusisë, FSB. Baza e re e Rusisë ndodhet vetëm një orë larg me makinë nga kufiri i Kosovës dhe, po të mbajmë parasysh se çfarë implikimi negativ ka pasur dhe ka Moska për pavarësinë e Kosovës dhe për tensionet në veri të Kosovës, bëhet edhe më e qartë se çfarë pasojash mund të ketë funksionimi i kësaj baze, që pretendon të menaxhojë krizat në Ballkan.
Ndërtimi i kësaj baze të re të Rusisë në Serbi shënon një zhvillim dhe një lëvizje, të cilat duhet të shkaktojnë jo vetëm disa alarme, por edhe disa reagime dhe masa reciprociteti në vendet e rajonit, dhe sidomos në vendet e rajonit, që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria, e cila, si rregull, zgjohet nga gjumi, kur zjarri i ka dalë në çati. Taktikat bizantine të Moskës se gjoja po e ndërton bazën për të shuar zjarret në pyjet e Ballkanit, po shoqërohet me presione të forta të diplomacisë ruse për të tërhequr edhe shtete të tjera ballkanike në operacionin e mbulimit të bazës së saj të Nishit dhe për t'i përdorur ballkanikët e tjerë si dekor civil i bazës. Që kur u nënshkrua marrëveshja për bazën, patëm shkruar në faqet e kësaj gazete se "në këtë bazë ushtarake do të dislokohen njësi ushtarake dhe të specializuara ruse. Me gjithë fshehtësinë e madhe mbi karakterin dhe objektivat e kësaj baze, duhet thënë se kjo është një sukses i madh i Rusisë, e cila për herë të parë arrin të sigurojë një bazë logjistike jashtë kufijve të ish- Bashkimit Sovjetik".(G.SH.7.12.2009). Në një kabllogram të saj të datës 27 nëntor 2009, ambasada amerikane në Beograd njoftonte departamentin e shtetit se "marrëveshja për të ndërtuar një qendër të përbashkët serbo-ruse në Nish provokoi menjëherë spekulime rreth planeve për një bazë ushtarake të Rusisë në Serbi", dhe i sugjeronte departamentit të shtetit që ta ngrinte çështjen e kësaj baze në takimet me qeveritarët e Beogradit, që do të vinin për vizita në Uashington.
Njoftime të besueshme nga MPJ e Shqipërisë bëjnë të ditur e Rusia dhe Serbia kanë arritur që të tërheqin në disa bisedime rreth pjesëmarrjes në bazën e Nishit edhe zyrtarë nga Shqipëria. Ne nuk kemi informacion nëse ky veprim ka ardhur nga naiviteti i atyre zyrtarëve, të cilëve iu duket vetja sikur punojnë në skuadrat e zjarrfiksave dhe jo në zyrat shtetërore të kujdesit për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Më e pakta, që mund të kërkohet, është që Shqipëria nuk mund të ta lejojë veten të bëhet kaq mendjelehtësisht instrument i projekteve ruse në Ballkan, qofshin ato me emra sado të bukur, "për shuarjen e zjarreve" apo "për luftën kundër drogës". Nëse Shqipëria do të bashkohet me projektin e bazës ruse në Nish, dhe nëse ajo bëhet pjesë e projektit tjetër rus për të ashtuquajturin quintet policor në Ballkan të drejtuar nga Rusia, për gjoja luftën kundër drogës, do të na duhet të vijmë tek përfundimi i hidhur se Tirana zyrtare po infektohet nga politika serbe e njërës këmbë tek Rusia. Nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e këtyre projekteve të errëta ruse, mund të jemi të sigurt se llobi rus në Tiranë është shumë më i fuqishëm, se sa kemi menduar deri tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›