E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, lëshonin vërtetime të rreme hasmërie, pranga 2 krerëve të Komunave

SHKODËR- Drejtoria Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër bën me dije se ka nisur procedimin penal ndaj Faz Shabaj Kryetar i Komunës Postribë, Qarku Shkodër dhe Ramadan Likaj Kryetar i Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe.

Dy krerët e Komunave Postribë dhe Koplik akuzohen se duke shfrytëzuar postet e tyre drejtuese kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë.

Shtetasit të cilët përdornin këto dokomenta të falsifikuara, duke përfituar nga lëvizja e lirë, pasi kanë shkuar në vendet e zonës Shengen kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Kërkesat e tyre për azil kanë qenë të shoqëruara me vërtetime nga Komunat Postribë dhe Koplik ku thuehej se ishin në konflikte dhe në gjakmarrje.

Mësohet se vërtetime të tillla janë lëshuar edhe nga Shoqata Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.

Nga hetimet ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figuronin të ishin në hasmëri apo gjakmarrje.

Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre, ndërkohë dy krerët e Komunave Postribë dhe Koplik akuzohen se kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›