E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëri – Hungari, bashkëpunim për forcimin e kapaciteteve të pronësisë intelektuale

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Krijimi i një ure të re bashkëpunimi midis Zyrës Hungareze të Pronësisë Intelektuale (HIPO) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë (DPPI) do të mundësojë rritjen e kapaciteteve teknike dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet dy institucioneve.

Ky hap u formalizua gjatë takimit dypalësh që u zhvillua në Tiranë, ku përfaqësues të dy institucioneve diskutuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale.

Takimi u udhëhoq nga presidenti i HIPO, Szabolcs Farkas, dhe drejtoresha e Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Virág Adrienn Varga, të cilët u pritën nga drejtori i përgjithshëm i komanduar i DPPI, Maria Solis, dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni. Palët shprehën angazhimin e tyre për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të mbështetur zhvillimin e sistemeve të pronësisë intelektuale dhe industriale në të dyja vendet.

Bashkëpunimi dypalësh do të përfshijë shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira, duke mundësuar që Shqipëria të përfitojë nga ekspertiza hungareze në përmirësimin e sistemit të pronësisë industriale dhe të zhvillojë më tej politikave të saj në këtë fushë.

“Ky hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve midis HIPO dhe DPPI shënon një moment kyç për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe europian, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe modernizuar sistemin e pronësisë intelektuale dhe industriale”, bën të ditur DPPI.

1 nga 6

/a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›