Shqipëri- Kosovë, tregu i energjisë dhe SOROS

Një studim i realizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) hedh dritë mbi përparimin që kanë bërë të dy vendet, sa i përket integrimit të tregjeve energjitike të dy vendeve. Studimi bëhet i njohur njëkohësisht kur Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë. Sipas zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë memorandumi i bashkëpunimit siguron njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike. Kjo marrëveshje u quajt një hap i rëndësishëm drejtë integrimit te tregut të energjisë elektrike mes dy shteteve.
Në konferencën e mbajtur në Kosovë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri është shumë i rëndësishëm në fushën e energjisë.
“Si ministre e Ekonomisë këtë sfidë e shoh mendësinë e nisjes të një kapitulli të ri për vendin tonë. Sektori i energjisë është një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shqipëria dhe Kosova mbeten të varura nga importet për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Do të bëjmë reforma të thella në sektorin e energjisë. Dekabornizimi deri në vitin 2050, reforma të përballueshme për qytetarët. Bursë të energjisë bashkë me Shqipërinë”, tha Rizvanolli.
Në Konferencën për Integrim të Tregut të Energjisë Elektrike, ka marrë pjesë edhe Ilir Bejta, zv. ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, i cili tha se ky është guri i parë i rëndësishëm që vendosim për dy tregjet midis Kosovës dhe Shqipërisë.
“Duhet ta marrin seriozisht këtë iniciativë, ngase tash e 4 muaj është rritur çmimi. Tregu i madh, investime të reja. Një sfidë është edhe sigurimi i burimeve të tjera të energjisë. Duhet të shkojmë në liberalizim të tregut të energjisë. Duhet të garantojmë sigurinë e furnizimit me energji. Integrimi i tregjeve mundëson furnizim të rregullt. Të fillojmë për hapat që të ecim sa më shpejt me institucionet që lidhen me bursën, që të kemi tregun e përbashkët të energjisë”.
Në konferencë përfaqësues të KOSTT-it, KEK-ut, OST-së dhe KESH-it, kanë diskutuar rreth sigurisë së furnizimit me energji elektrike, dekarbonizimit, diversifikimit të burimeve të energjisë përmes ankandeve si dhe caktimin e objektivave të dekarbonizimit. Gjatë takimeve të përbashkëta, Rizvanolli dhe Bejtja janë pajtuar që Shqipëria e Kosova duhet të stimulojmë diversifikimin e burimeve të energjisë si dhe të krijojnë një treg të përbashkët energjetik me punë të intensifikuar e hapa konkretë.
Por një studim i SOROS, në të dy anat e kufirit, tregon se nuk ka ende përparim të dukshëm të integrimit të tregjeve, përveçse përmendjes së këtij integrimit në strategjitë respektive, 14 herë nga Shqipëria dhe 10 herë nga Kosova. Kujtojmë se në tetor të këtij viti në Tiranë është nënshkruar marrëveshjen kornizë për bashkimin e dy tregjeve dhe në javën e parë të dhjetorit u nënshkrua memorandumi për njohjen e ndërsjellët të licencave.