Ndërtimi rrit indeksin e besimit në ekonomi

Indeksi i ndjesisë ekonomike, treguesi që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen e ekonomisë në vend u rrit me 0.9 pikë në muajin nëntor,pasi kishte regjistruar rënie në tre muajt e mëparshëm.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se rritja e besimit në ekonomi u përcaktua kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit.
Rezultatet e vrojtimit të bankës qëndrore tregojnë se treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 6.3 pikë përqindje në muajin nëntor, duke arritur vlerën më të lartë të pesë viteve të fundit.
Rritja e treguesit reflektoi kryesisht vlerësimin optimist të bizneseve për porositë aktuale. Bizneset vlerësuan gjithashtu në përmirësim aktivitetin ndërtues gjatë muajve të fundit.
Rritje regjistruan dhe pritjet për nivelin e punësimit dhe të çmimeve në të ardhmen.
Nga ana tjetër besimi në sektorët e industrisë dhe të tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa pritshmëritë në sektorin e shërbimeve mbetën pothuaj në të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm.