Shqipëri-Britani, bashkëpunim kundër krimit të organizuar
Britania dhe Shqipëria kanë rritur bashkëpunimin mes tyre për luftën ndaj krimit të organizuar. Kjo u shpreh sot në një takim të përbashkët midis kryeprokurores shqiptare, Ina Rama dhe homologut britanik, Ken McDonald. Rama u shpreh se Britania ka bashkëpunaur për ekstradimin e personave të shpallur në kërkim nga policia shqiptare. Sipas saj së fundmi policia britanike ka ekstraduar në Shqipëri dy shtetasit britanikë të akuzuar për pedofili me jetimë, Dino Christodolu dhe Robin Arnold.
Ajo ka përmendur edhe ekstradimet për shtetasit shqiptarë si Edmond Vulaj, Gëzim Çala, Bashkim Xhika e plot raste të tjera. Gjithashtu është bërë ekstradimi edhe për shtetasin Ridvan Matranxhi i shpallur fajtor nga gjykata e Durrësit për vrasje.
“Përveç bashkëpunimit të deritanishëm mendoj se fusha e bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj britanike mund të shtrihet edhe në drejtim të grupeve të përbashkëta për të arritur një përfarim të legjislacionit tonë me atë të bashkimit evropian” – tha Rama.
Ken McDonalad, kryeprokuror në Britani, tha se: “Prokurorët e të gjithë Europës duhet të bashkëpunojnë në luftë ndaj krimit, sepse vendet tona përballen me sfida të tilla sic është trafikimi dhe terrorizmi, që nuk janë pjesë e vetëm një shteti”. “Para kriminelëve profesionistë duhet të jemi edhe ne profesionistë” – vazhdoi ai.
Një pjesë nga fjala e Ina Ramës
Prokuroria është një institucion i pavarur kushtetues i organizuar pranë sistemit gjyqësor. Ajo funksionon pranë çdo gjykate të sistemit gjyqësore. Gjithashtu janë ngritur njësi edhe pranë gjykatave të apeleve që bëjnë të mundur vazhdimin e çështjeve atje.
Në zbatim të hierarkisë qëndron në krye prokuroria e përgjithshme me prokurorët e saj.
Po ashtu është ngritur prokuroria pranë gjykatës së krimeve të rënda me qëllim bërjen sa më efikase luftën ndaj krimit të organizuar. Në një formë të ngjashme është kërkuar ngritja e një njësie në lidhje me krimin ekonomik.
McDonald në takimin që patëm më tregoi se ka shumë pak raste të shkarkimit të gjyqtarëve nga detyra në Britani, të cilët numërohen me gishtat e parë të dorës.
Një nga rastet ishte ai kur një gjyqtar ishte shkarkuar se kishte transportuar 2 litra uiski pa i deklaruar në doganë.
Fatkeqësisht realiteti jonë nuk sjell këto raste. Megjithatë mua më duhet të them se organi i akuzës është i angazhuar plotësisht që të vërë para përgjegjësisë të gjithë ata gjyqtarë dhe oficerë që shkelin detyrën dhe janë të korruptuar.
Gjithashtu ne shikojmë si sfidën më të madhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Një prioritet i punës tonë është edhe rritja e pavarësisë së prokurorëve në punën e tyre, dhe këtë do ta bëjmë nëpërmjet përcaktimit të kritereve të karrierës së tyre. Si dhe përcaktimit të rregullave që do të bëjnë të mundur identifikimin e shkeljeve në detyrë.
Të gjitha angazhimet që ka organi i akuzës janë angazhime që realizohen nëpërmjet bashkëpunimit me organizmat shtetërorë dhe ndërkombëtarë.
Asistencën nga qeveria britanike e shikojmë si element kyc.
Ken McDonalad, kryeprokuror në Britani
Prokurorët e të gjithë Europës duhet të bashkëpunojnë në luftë ndaj krimit, sepse vendet tona përballen me sfida të tilla sic është trafikimi dhe terrorizmi që nuk i përkasin vetëm një shteti.Para kriminelëve profesionistë duhet të jemi edhe ne profesionistë. Janë pikërisht vendet evropiane që duhet të ndërmarrin iniciativën për të mos i lejuar kriminelët të fshihen. Ne jemi më të fortë kur qëndrojmë të gjithë sëbashku. Siç e keni thënë ne duhet të punojmë drejt disa standardeve të njëjta për të gjithë Evropën. Një nga gjërat është edhe konventa evropiane e cila është e adoptuar. Unë do të doja t’ju bëja të qartë që ata shtetas që bëjnë krime në Shqipëri dhe vijnë të fshihen në Britani nuk do ta kenë të lehtë. Ne kemi parë se sa i frytshëm ka qenë bashkëpunimi mes vendeve tona. Unë jam dakord që shërbimi i prokurorisë duhet të jetë i pavaruar dhe ne këtë kemi synuar në Britaninë e Madhe. Duhet të jemi të qartë që të gjithë janë të barabartë para ligjit.