E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Greqi, zhduket një 23-vjeçar nga Vlora

Foto Ilustruese

Një 23- vjeçar nga Vlora ka humbur kontaktet prej tri ditësh me familjen e tij gjatë momentit kur po kalonte ilegalisht drejt Greqisë.

Eldi Metushaj, mendohet i humbur nga autoritetet policore greke, të cilat janë vënë në kërkim të të riut i cili në orët e para të së dielës, i ka dhënë alarmin SOS policisë greke përmes një telefonate.

Burimet policore greke, kanë preçizuar se i riu nga Vlora, ishte nisur nga Gjirokastra në drejtim të kufirit shqiptaro-grek me qëllim që të shkonte drejt Greqisë, aty ku kishte lënë vendin e punës. Kalimi i tij, është bërë përmes zonës së thellë të Komunës së Pogonit në rrethin e Gjirokastrës në zonën e Shën Marijas.

Ndërkaq, familjarët e 23- vjeçarit nga Vlora, të alarmuar nga mungesa e kontaktit, janë paraqitur në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës për të mësuar më tepër rreth fatit të tij.

Sipas familjarëve, Metushaj rezultonte si person i padëshiruar për shtetin grek pasi kishte shkelur afatet e qëndrimit në Greqi dhe kësisoj, autoritetet helene e kishin përcjellë në Shqipëri të shoqëruar edhe me një masë të detyrueshme që mos të shkelte në territorin grek të paktën 5 vjet. Kërkimet vijojnë ndërkohë që familjarët, kanë apeluar për gjetjen e 23- vjeçarit.

Piro Nase

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›