E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, komision për intensifikimin e bashkëpunimit

TIRANE- Shqipëria dhe Italia do të ngrenë një komision të përbashkët që do të ndihmojë në përshpejtimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të shkencës. Zv. ministri italian i Arsimit z Giuseppe Pizza i ndodhur në Tiranë në ceremoninë e përurimit të vitit akademik 2009 -2010 në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë, thotë me bindje se shembulli i mirë që ka ngritur ky universitet do të shkojë dhe më tej midis qeverive të dy vendeve.

“Përsa i përket bashkëpunimit shumë gjëra janë bërë në shumë sektorë, në edukim e universitete. Pak më parë kisha takim me ministrin shqiptar të Arsimit dhe kemi konkluduar se do të vazhdojmë me ngritjen e një komisioni miks italo-shqiptar me qëllim për të përshpejtuar bashkëpunimin midis dy vendeve, sic mund të ishte dhe futja e internetit në shkolla dhe për bashkëpunime me universitetet midis dy vendeve” theksoi Pizza.
Sipas zv.ministrit italian të Arsimit, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë” ka një bashkëpunim mjaft të mirë me disa universitete të Italisë, shembulli i të cilit duhet të vazhdojë dhe më tej.

“Bashkëpunimi mes universiteteve të dy vendeve po shkon përpara dhe iniciativa e Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë është e rëndësishme por dhe një pikë e mirë nisjeje për të realizuar iniciativa të tjera analoge. Ne vendet e Bashkimit Europian duhet të kuptojmë se duhet të bashkëpunojmë më shumë me vendet e tjera.”u shpreh zv.ministri italian i Arsimit.

Edhe pse ndodhet për herë të parë në Tiranë, zoti Pizza ndihet si në shtëpinë e tij dhe ai thotë se kjo u ndodh shumë italianëve të tjerë, kolegëve të tij. “Është kjo një arsye se pse qeveria italiane po bën përpjekje për të ndihmuar në objektivin politik të Shqipërisë, të integrimit në BE” shprehet zv.ministri. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›