Bajernit i kthehet Roben për sfidën në Torino
MYNIH- Për Bajernin e Mynihut ndeshja e së martës në Torino duket si një mision i pamundur në pamje të parë. Bavarezët do të luajnë në një stadium shumë të vështirë dhe u duhet të marrin patjetër fitoren për t’u kualifikuar. Veç kësaj, trajneri Luis Van Gal, i cili ka qenë në qendër të kritikave që nga fillimi i këtij sezoni, nuk do të ketë të gatshëm as futbollistin kryesor, Frenk Riberi. “Nuk ka nevojë të jesh profet për të parashikuar që do të jetë shumë e vështirë, - tha kreu i Bajernit Karl-Hainz Rumenige. Bavarezët vijnë pas 3 fitores radhazi, një në Champions League me Makabi Haifan dhe dy në kampionat, por sërish kritikat kanë qenë të shumta ndaj teknikut Van Gal. Gjithsesi rikthimi i Arjen Roben edhe pse ai nuk luan një ndeshje të plotë që prej shtatorit, është një plus i madh për skuadrën gjermane. Në tre takimet e fundit ai ka qëndruar në stol, por sot dëshiron të jetë në fushë nga minuta e parë. “Jam i shëruar dhe gati për ndeshjen në Torino, - tha holandezi. – Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të më pëlqente të luaja që nga fillimi”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)