E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Rama në Elbasan: Do i japim doganat në menaxhim të huaj (VIDEO)

8-prill-Edi-Rama-ne-Korce1Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke prezantuar programin ekonomik në Elbasan, deklaroi se do bëhet bashkimi doganor me Kosovën.

E kemi verifikuar imtësisht që bashkimi doganor është një hap plotësisht i mundshëm që nuk pengohet nga marrëveshja e stabilizim asociimit dhe që nuk pengon rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian. Përkundrazi, krijon lehtësira për ta perceptuar dhe për ta përdorur kufirin si një vijë që nuk ekziston, më mënyrë që të gjitha prodhimet të kalojnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas njësoj siç kalojnë nga Shkodra në Vlorë, tha Rama.

Rama po ashtu premtoi unifikimin e administratës tatimore dhe dhënien e doganave në menaxhimin e të huajve.

Njëra është masë që e kemi lajmëruar në tryezën e dytë që bëmë me sipërmarrjen, unifikimi i administratës. Sot sipërmarrja ka një administratë tatimore bashkiake, një administratë tatimore kombëtare, pa llogaritur pastaj edhe pjesën e gjuetisë së shtrigave që është shtesë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë më shumë shpenzime nga paratë e publikut për të mbajtur në këmbë një administratë. Kjo do të thotë më shumë zvarritje dhe më shumë trokitje në derën e sipërmarrjes, kjo do të thotë më shumë korrupsion. Ne duam të ndërtojmë një administratë tatimore të unifikuar në vetëm një institucion, tha Rama.

Ne do ti japim doganat në menaxhim të huaj. Kjo është një gjë e re që nuk e kemi thënë më përpara, por është pjekur si ide. Domethënë do të administrojmë gjithë marrëdhënien e sipërmarrjes me doganën përmes një kontrate me një agjenci ndërkombëtare të specializuar duke ulur në mënyrë drastike të gjithë atë korrupsion dhe atë arbitraritet që sot po i merr frymën sipërmarrjes në doganë. Historitë e menaxhimit të doganave nga agjencitë ndërkombëtare të specializuara në shumë vende si vendi ynë, vende në zhvillim me probleme të mëdha korrupsioni në doganë, janë histori që flasin për sukses dhe flasin për rritje shumë të ndjeshme të të ardhurave në buxhet dhe njëkohësisht për një ulje shumë të ndjeshme të arbitraritetit dhe krijimin e kushteve të trajtimit të barabartë në doganë, vijoi kryetari socialist./ep

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›