Shqipëri-Kosovë, “një” parlament, Osmani: Unifikim diplomacisë. Rama: Kujdes raportin me BE! Kurti: Rrisim bashkëpunimin

Seanca nisi me Himnin Kombëtar dhe u udhëhoq nga krerët e dy parlamenteve, Elisa Spiropali dhe Glauk Konjufca.
Gjatë fjalimeve, udhëheqësit e të dy vendeve nënvizuan mbështetjen e ndërsjellë. Presidentja Vjosa Osmani kërkoi unifikimin e politikës së jashtme dhe avancimin e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës.
“Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve, liderëve institucionalë dhe gjithsecilit qytetar. Të luajmë rolin tonë në avancimin e vizionit. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, sakrifica dhe vizion. Kjo lidhje nuk është simbolike, por themel i pathyeshëm,” tha Vjosa Osmani.
Ndërsa theksoi se Kosova e ka fituar luftën me Serbinë që 25 vite më parë, Kryeministri Rama tha se Kosova duhet të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve vetëm me partnerët ndërkombëtarë dhe të përmbushë në mënyrë të njëanshme të gjitha detyrimet që rrjedhin nga dialogu.
Në këtë mënyrë, sipas Kryeministrit, e gjithë barra e fajit do të binte mbi Serbinë.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat, dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior. Duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në,” u shpreh Rama.
Rama ngriti pikëpyetje ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat Speciale në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kritikoi parlamentin në Prishtinë për mungesën e një nisme lidhur me standardet e tij.
“Nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do të merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej edhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike. Partia Socialiste do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë,” shtoi Edi Rama.
Kryeministri Albin Kurti u ndal në arritjet e përbashkëta me rezultate të prekshme për qytetarët.
“Nuk na lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet, sepse kemi shumë punë për të bërë, jo vetëm për qytetarët që u takojnë të dyja shteteve, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje,” tha Kurti.
Kjo është mbledhja e parë mes dy kuvendeve në Prishtinë, e cila pason atë të dy viteve më parë në Tiranë, në 110-vjetorin e Pavarësisë. /vizionplus.tv