Fajon: BE, mekanizëm për pezullimin e vizave

Tanja fajon
Heqja e vizave mund të pezullohet për disa vende në mars
Vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë pezullimin e liberalizmit të vizave dhe përfshirjen në listën e zezë të Bashkimit Europian, për shkak të moskontrollimit të kërkesave për azil në zonën Shengen. Në muajin mars, sipas raportueses së Parlamentit Europian, Tanja Fajon, do të miratohet vendimi për verifikimin e mekanizmit për pezullimin e regjimit të vizave. Eurodeputetja Fajon, në një prononcim të saj për mediat serbe ka theksuar se Europa nuk përjashton mundësinë për lëshimin e barrierave për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk mund të kontrollojnë azilkërkuesit. Sipas saj, ky paralajmërim së shpejti do të bëhet edhe realitet. Mekanizmi që liberalizimi i vizave të pezullohet për disa vende për një periudhë gjashtëmujore, më pas në nëntë muaj dhe në fund, ai shtet të kthehet në listën e ashtuquajtur të zezë, do të vendoset në muajin mars, ka sqaruar Fajon. Raportuesja e PE-së pohoi se një vendimmarrje e tillë është e orientuar nga fakti i fluksit të lartë të azilkërkuesve të vendeve të Ballkanit. Do të kemi debate në bordet e lirive të qytetarëve, drejtësisë dhe punëve të brendshme më 25 dhe 26 janar. Por, fjalën përfundimtare pas Parlamentit Europian do ta japë Këshilli i Ministrave, ka theksuar Fajon. Danimarka, si kryesuese e BE-së, ndër prioritetet e saj ka mbrojtjen nga azilkërkuesit dhe është kërkuar që sa më shpejt të aplikohet mekanizmi për pezullimit të vizave. Në muajin dhjetor ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka siguruar se Shqipëria nuk rrezikon bllokimin e procesit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen prej rritjes së numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Sipas tij, kërkesat për azil nga shqiptarët në muajin tetor pësuan një rritje artificiale nga individë që janë vendosur para Drejtësisë. Problematika e shfaqur kohët e fundit në kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë drejt vendeve të BE-së nuk ka ndikim te procesi i liberalizimit të vizave dhe konsiderohet nga vendet anëtare si një çështje e ndarë nga ky proces, pohoi ministri Nishani. Sipas ministrit të Brendshëm, vendi ynë ka numrin më të ulët të azilkërkuesve në rajon dhe se rritja e kërkesave në muajin tetor është një rast kriminal që po hetohet nga Prokuroria. Në informacionet zyrtare të përcjella nga autoritetet belge, rezulton se për muajin nëntor janë regjistruar 96 kërkesa për azil, ndërsa për muajin tetor ishin regjistruar 342 kërkesa të tilla, pra ka një rënie me më shumë se 3.6 herë, krahasuar me muajin tetor 2011. Në 11-ditëshin e parë të dhjetorit janë regjistruar vetëm 18 kërkesa për azil, deklaroi Nishani.
Shqipëria, anëtare e BE ndoshta në 2020
Sipas llogarive të Bashkimit Europian, 2020-ta mund të hynte në histori si viti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo, në qoftë se gjithçka shkon ashtu si duhet e Shqipëria i përmbush të gjitha standardet e kërkuara nga BE-ja. Kështu është shprehur dje Bert Kubi, bashkëpunëtor i Departamentit të Shqipërisë në Komisionin e Zgjerimit të BE-së, kur u pyet nga studentët e Albanologjisë së universitetit Ludëig Maximilian në Munih. Në një raport të Deutsche Welle Kubi është shprehur se pengesë për arritjen e standardeve është pikërisht vullneti politik brenda vendit. Kjo u dëshmua sidomos në procesin për heqjen e regjimit të vizave me vendet e hapësirës Shengen. Aty Shqipëria i arriti standardet e duhura brenda një kohe rekord, tha Kubi. Sipas tij, edhe numërimi i popullsisë ishte një proces i suksesshëm. Në të kundërt, funksionimi i Parlamentit, miratimi i disa ligjeve kyçe, reforma zgjedhore, zgjedhja e ombudsmanit, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve europiane, forcimi i shtetit juridik, sqarimi i pronësisë së tokave, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, respektimi i të drejtave të njeriut e pakicave janë probleme, për zgjidhjen e të cilave vullneti politik duket më pak këmbëngulës. Por një gjë është e qartë: Pa vënë në vijë zgjidhjen e këtyre problemeve, Shqipëria nuk mund të bëhet kandidate e BE-së.