E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri, dhjetra komuna dhe akse të bllokuara nga bora

TIRANE- Vijojnë problemet nga dëbora. Erërat e forta dhe të ftohta kanë shkaktuar ngrica të shumta, gjë që ka vështirësuar qarkullimin në shumë zona si në jug dhe në veri të vendit.

Reshjet e dëborës kanë aritur deri në 10 centimetra në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa prej mbrëmjes së djeshme vazhdon të jetë e bllokuar Qafë Muzina në aksin Gjirokastër-Sarandë. Ndërsa në aksin Gjirokastër-Kakavije lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Vështirësi në lëvizje paraqet edhe zona muzeale e Gjirokastrës. Për shkak të motit të keq, që prej mbrëmjes së djeshme zona e Dropullit vuan mungesë ne energjisë. Në Gjirokastër janë bllokuar komunat Pogan, Zagori, Picar,Lunxheri.

Vetëm në qytetin e Korcës trashësia e dëborës arrin në 25 cm. Komuna si Dardha, Vithkuqi etj, janë të bllokuara. I bllokuar është sot edhe aksi Korcë-Pogradec në Grabovicë.

Në Qafë Thanë, Qafë Plloc, Qafë e Qareit, në aksin Korcë Kapshticë, kalimi bëhe vetëm me zinzhirë. Vështirësi kalimi ka në akset Qafë Mali-Fierzë, Qafë Mali-Kukës. Policia këshillon që në të gjitha akset ku ka reshje bore kalimi të bëhet vetëm me zinxhir.

Të bllokuara nga dëbora janë komunat komunat Lope, Kurvelesh dhe Buzë në Tepelenë, komuna Frashër dhe Dishnicë në Permet. Reshje bore vazhdojnë të bien në Llogara, Korcë, Pogradec, Kolonjë e Devoll.

Situatë e njëjtë paraqitet edhe në veri të vendit. E bllokuar është rruga Shkodër-Vermosh dhe Shkodër-Dukagjin. E pakalueshme është edhe rruga Peshkopi-Librazhd.

Probleme nga bora e ngricat paraqesin edhe shumë akse në Bulqizë. Kështu ka vështirësi kalimi nga Maqellara deri në afërsi të Klosit, probleme edhe në Fushë Bulqizë. Probleme nga ngrica e bora në komunat lurë, Kalaja e Dodës, Ostren dhe Trebishte. Reshje të dendura bore vazhdojnë të bien edhe në Pukë, ku policia këshillon që në të gjitha segmentet kalimi të bëhet vetëm me zinxhirë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›