E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Islami”, Ardian Turku: Rama është një diktator

ELBASAN- Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Ardian Turku komentoi dje, përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Gjatë takimeve që ka pasur në Elbasan, Turku është shprehur se: “Edi Rama synon të përçajë Lëvizjen për Mendimin Ndryshe që është shfaqur aktive prej kohësh në radhët e partisë më të madhe opozitare në vendin tonë”.

Sipas Turkut, “në PS nuk fiton prej kohësh zëri ndryshe, por vetëm Edi Rama”. “Këtë ai po e tregon mjaft qartë ndër vite. Përjashtimi së fundi vetëm i Islamit ka si strategji, përjashtimet masive nga PS. Kjo është e papranueshme në një demokraci”, - u shpreh, i pyetur nga mediat, nënkryetari Turku.

Rama, sipas gjykimit të nënkryetarit të parlamentit është një lider partie, që e ka të vështirë ta ndajë pushtetin nga lavdia. Kreu socialist, sipas deputetit demokrat, po shkon nga humbja në humbje. “Ai me bllokimin e gjatë që i bëri pjesëmarrjes së opozitës në punimet e parlamentit ka dëmtuar së tepërmi interesat kombëtare”, - deklaroi më tej, Turku.

Rama, sipas Turkut “ka elemente të një diktatori të vogël që do e çojnë nga humbja në humbje si politikan”. Të martën, grupi parlamentar i PS-së vendosi me vetëm 4 vota kundër dhe 2 vota abstenim, çregjistrimin e deputetit Kastriot Islami nga grupi i PS-së.

Vendimi erdhi pas mungesës së deputetit Islami në seancën parlamentare, ku u miratua kandidatura e Bujar Leskajt për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kreu i PS-së kishte porositur deputetët që në këtë seancë të ishin të gjithë të pranishëm dhe të votonin kundër, mirëpo Islami iku nga seanca, gjë që i solli edhe ndëshkimin. Deputeti Islami kërkoi që sqarimi i tij të bëhej në mbledhjen e grupit, në prani të medias, gjë që nuk u pranua nga drejtuesit e PS-së. E në të njëjtën kohë, Rama ka porositur që të mos dalin në media ato çfarë diskutohen në grup sepse edhe për këtë do ketë çregjistrime nga grupi, për shkelje të disiplinës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›