Shqipëria 1918-1920, ethe mbijetese
Konfuzioni politik i Shqipërisë vazhdonte në prag dhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Vendi nuk kishte asnjë qeveri të vetme të njohur, dhe shqiptarët ishin tejmase të shqetësuar, me arsyetim të drejtë, se Italia, Jugosllavia, dhe Greqia do ta hidhnin tej pavarësinë e Shqipërisë dhe do të copëtonin vendin amë. Forcat italiane kontrollonin veprimtarinë politike shqiptare në zonat ku ato i kishin zaptuar. Serbët, të cilët dominonin dhe diktonin politikën e jashtme të Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore, u përpoqën fort për të marrë Shqipërinë e veriut, ndërsa grekët kërkonin të kontrollonin Shqipërinë jugore.
Një delegacion, i dërguar nga Asambleja Kombëtare Shqiptare e pasluftës që u mblodh në Durrës në Dhjetor 1918, mbrojti interesat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, por konferenca nuk denjoi të merrte parasysh përfaqësimin zyrtar të Shqipërisë . Asambleja Kombëtare, e shqetësuar për të mbajtur të paprekur Shqipërinë, shprehu gatishmërinë për të pranuar mbrojtjen italiane dhe madje pranoi mundësinë e një princi italian si sundimtar, vetëm me qëllimin e vetëm që Shqipëria të mos zhdukej si njësi territoriale. Trupat serbe kryenin veprime të ashpra luftarake në zonat kufitare të populluara nga shqiptarë, ndërsa çetat e luftëtarëve shqiptarë ndërmerrnin veprime luftarake në Serbi dhe në Mal të Zi.
Në Janar 1920, në Konferencën e Paqes në Paris, negociatorët nga Franca, Britania, dhe Greqia ranë dakord për të ndarë Shqipërinë në mes Jugosllavisë, Italisë, dhe Greqisë, si një moment i volitshëm diplomatik duke patur si qëllim gjetjen e një zgjidhje kompromisi të konfliktit territorial mes Italisë dhe Jugosllavisë. Marrëveshja u bë pas shpinës së shqiptarëve , pra pa prezencën e tyre dhe në mungesë të negociatorit të Shteteve të Bashkuara.
Anëtarët e Asamblesë së dytë Kombëtare Shqiptare, të mbledhur në Lushnjë e hodhën poshtë planin e ndarjes dhe paralajmëruan se shqiptarët do të merrnin armët për të mbrojtur pavarësinë e vendit dhe integritetin e tyre territorial. Kongresi i Lushnjës u mbajt në pesë seanca ,nga 27 Janar deri 31 janar 1920 , nga patriotët shqiptarë, dhe kishte si objektiv njohjen e situatës së çështjes shqiptare dhe masat që duhej të merreshin për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi mes vendeve të tjera, si efekt i pas Luftës së Parë Botërore.
Kongresi mblodhi delegatë nga e gjithë Shqipëria; Aqif Pashë Elbasani u zgjodh si drejtues i punimeve të Kongresit pasi ai vlerësohej nga qarqet intelektual si një nga patriotët më të mëdhenj të kohës. Asambleja Kombëtare e Lushnjës emëroi një regjencë me përbërje me katër personalitete për të qeverisur vendin dhe pikërisht Aqif Pashë Elbasani, Abdi bej Toptani, Monsinjor Luigj Bumçi dhe Dr.Mihal Turtulli, të cilët përfaqësonin krahinat kryesore të vendit dhe katër komunitet fetare shqiptare, një bektashi, një sunit, një katolik dhe një ortodoks. U krijua gjithashtu një parlament me dy dhoma , në të cilën të zgjedhurit në dhomën e ulët, pra në Dhomën e Deputetëve (me një deputet për çdo 12.000 banorë në Shqipëri dhe një deputet për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), caktuan antarë nga radhët e veta në Dhomën e Lartë , pra si përfaqësues në Senat.
Në muajin Shkurt 1920, qeveria u vendos në Tiranë, e cila u bë kryeqyteti i Shqipërisë. Një muaj më vonë, në Mars 1920, Presidenti amerikan Woodrow Wilson ndërhyri për të bllokuar marrëveshjen e Parisit. Shtetet e Bashkuara theksuan mbështetjen e saj për pavarësinë e Shqipërisë, duke njohur një përfaqësues zyrtar në Washington, dhe në 17 dhjetor 1920 Lidhja e Kombeve e njohu sovranitetin e Shqipërisë duke pranuar atë si një anëtar me të drejta të plota.
Ka një analizë dhe interpretim nga ana e Kolonel Hauz, Kob dhe Lipman, tre këshilltarëve të Presidentit Wilson, mbi fjalimin e Presidentit Wilson prej 14 pikash, në vitin 1918, ku qartësohet pozicioni i kahershwm i SHBA për Shqipërinë. Në pikën 9 citohet: “Italia shfaqet në politikën e Ballkanit nëpërmjet kërkesës së saj për një protektorat mbi Shqipërinë dhe zotërimin e Vlorës. Nuk ngrihet ndonjë kundërshtim serioz ndaj këtyre termave, por protektorati është i domosdoshëm të kontrollohet në mënyrë të rreptë. Në se Italia bëhet protektore e Shqipërisë, jetesa në Shqipëri duhet të garantohet nga Lidhja e Kombeve. Ka një konflikt me Greqinë; për pretendimet e Greqisë për Epirin e Veriut , për atë që është tani Shqipëria e Jugut. Kjo do ta sillte Greqinë më afër Vlorës, ndryshe nga sa dëshiron Italia”.
Megjithatë, kufijtë e vendit, mbetën për një kohë të gjatë të pazgjidhura... Ka kaluar afër një shekull, gjërat kanë ndryshuar shumë, ne tashmë mund të lëvizim pa viza si në Greqi, po ashtu edhe në Itali dhe në vende të tjera të Europës. Megjithatë falenderimi për Presidentin Willson dhe SHBA do të mbetet i përjetshëm.