Një shikim ndryshe nga Brukseli për fatin evropian të Kosovës
Disa miq ishin shqetësuar shumë kur në vjeshtë pata shkruar se këtë vit nuk do të ketë asnjë lajm të mirë nga Brukseli për Kosovën. Gazetari nuk ndihet mirë kur transmeton lajme jo të mira. Por, për fat të keq, liria e shprehjes nuk përfshin edhe lirinë që të shkruash çfarë të duash, të shtrembërosh faktet dhe të këqijat t’i paraqesësh si të mira. Nganjëherë këtu gazetarët janë në pozitë të pabarabartë në krahasim me, për shembull, politikanët. Ata jo vetëm se mund të shtrembërojnë faktet dhe të këqijat t’i paraqesin si të mira, por për këtë ata edhe shpërblehen nga qytetarët, të cilët po ashtu duan të besojnë më shumë në lajme të mira sesa të këqija.
Ja, viti i ri jep një mundësi që gazetari të çlirohet nga kufizimi profesional i raportimit me fakte dhe mund të bëjë një shikim ndryshe. Ja pra, kësaj radhe nuk do të flasim për izolimin e Kosovës nga BE-ja, për moslëvizjen nga vendi në procesin e integrimeve evropiane. Do ta bëjmë një shikim ndryshe nga Brukseli për vitin 2010. Një shikim më pozitiv sepse, siç thotë populli, “çdo e keqe ka edhe anën e mirë“.
Bashkimi Evropian nuk e ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo është pozitive për Kosovën, sepse qytetarët e saj nuk do të mund të shkojnë pa viza në vendet e BE-së për të harxhuar paratë e tyre, do t’i harxhojnë në vendin e tyre. Heqja e vizave do të ishte vetëm në interesa të ngushta në vendeve të BE-së dhe do të ndihmonte që Kosova të zbrazej nga të rinjtë. BE-ja kështu dënoi të gjitha vendet e Ballkanit me heqje vizash ndërsa i kurseu kosovarët nga ky dënim.
Bashkimi Evropian është shumë i zhgënjyer me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si kryeministër, që është në “largim-ardhje”, i cili nuk do të lejojë që në 15 muajt e ardhshëm të hiqen vizat për kosovarët. BE-ja nuk mund të presë aq gjatë dhe do të bëjë presion ndaj Kosovës që ajo medoemos të hyjë në liberalizimin e vizave edhe më herët.
Në vitin 2010, Kosova u mbush mend. Ajo nuk i deshi 20 milionë euro asistencë makro-ekonomike nga BE-ja dhe me qëllim nuk i përmbushi kriteret për t’i marrë ato para. Kosova nuk ka nevojë për lëmoshë, ka para të veta mjaft dhe e di se BE-ja, nëse insiston që Kosovës t’i japë para, me siguri ka ndonjë qëllim të fshehtë që shkon në dëm të Kosovës. Kosova nuk është sikur vendet e tjera të rajonit të Ballkanit që sillen si lypës ndaj Brukselit. Kosova i ngjan më shumë Islandës. Ja edhe Islanda, e cila pas shumë vjetësh u detyrua të bëhej vend kandidat për anëtarësim në BE, ka refuzuar të shfrytëzojë fondet e para-aksesionit të BE-së. Islanda e bëri këtë me arsyetimin se kjo do të mund të ndikonte në qytetarët e saj që të kenë mendim pozitiv për BE-në.
Në mënyrë që të shfrytëzojë fuqinë e lartë blerëse të kosovarëve, BE-ja në vitin 2010 tentoi që Kosovës t’i imponojë një marrëveshje për tregtinë e lirë, për të ndihmuar kompanitë evropiane që të shpëtojnë nga kriza globale duke pasur një qasje të lirë në tregun e begatshëm kosovar. Por Kosova në vitin 2010, me sukses e rezistoi këtë përpjekje të Brukselit.
Bashkimi Evropian tash është në hall, sepse po e kupton se kosovarët kanë një strategji afatgjate, e cila do të ndihmojë rimëkëmbjen e Kosovës. Kosova është mbushur mend. Në të kaluarën me qindra mija kosovarë kanë shkuar në Gjermani, Austri, Zvicër dhe vende të tjera evropiane për të punuar dhe për të ndihmuar ndërtimin e këtyre vendeve. Këto vende pa kontributin e kosovarëve nuk do të ishin ato që janë sot. E tash Kosova dëshiron që Evropa t’ia kthejë këtë shërbim. Prandaj tash, kur kosovarët nuk mund të shkojnë në BE, ndodh që BE-ja të vijë në Kosovë. Tash është radha e qytetarëve të vendeve të zhvilluara të BE-së që të vijnë në Kosovë dhe ata të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës. Borxhi duhet kthyer, sado vonë që të ndodhë kjo.
Pse kosovarët të shkojnë në BE, kur BE-ja është në Kosovë. Nga vendet e BE-së në Kosovë janë dërguar policët më të mirë që kanë këto vende, prokurorët më të guximshëm dhe më profesionalë, gjykatësit më të mirë, doganierët e pakompromis dhe këshilltarët të cilët kanë lënë prapa rrogat e majme në BE, familjet e tyre, dhe karrierën e ndritshme, vetëm për të ardhur në Kosovë me motivin e vetëm, të ndihmojnë Kosovën që edhe ajo të bëhet aq e zhvilluar sa vendet e tyre dhe që, atëherë, ndoshta do t’ua mbushin mendjen kosovarëve që të pranojnë disi të nisen në rrugën e integrimeve evropiane. Kosova eventualisht do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj vetëm e vetëm nëse një gjë të tillë e bën edhe Zvicra. Pse Zvicra të jetë i vetmi vend i pastër, ku mund të pastrohen lirishtë paratë. Nëse Kosovën e lënë rehat, atëherë në Kosovë paratë do të mund jo vetëm të shpëlahen, por edhe të thahen dhe hekurosen. BE-ja është në krizë, bankat e tyre po marrin me qindra miliarda euro për të shpëtuar nga kjo krizë, ka vende të BE-së ku po lulëzon korrupsioni. Kjo krizë nuk ndihet në Kosovë, gjë që tregon se në fakt mbetja e Kosovës në izolim nga BE-ja është një strategji mjaft e zgjuar e kosovarëve që do të sjellë dobi afatgjate për qytetarët e saj.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”