E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra për turizëm i ka tëra!

Muzeu i Shkodres

Anila Dushi

Shkodra i ka të tëra. Liqen, lumenj, det, turizëm malor, që fillojnë nga 600 deri në 1250 m mbi nivelin e detit. Ka 128 monumente kulture e natyre prej të cilave 68 në qytetin e Shkodrës. Trashëgimi të pasur e deri diku të ruajtur, afron qarku i Shkodrës, më i madhi në veriun e Shqipërisë. Hyrja e qytetit, përveç mrekullisë që të afron natyra, e cila në këtë qytet është treguar mjaft bujare, të grish për tu ndaluar e për të vizituar objekte të trashëgimisë kulturore e historike të tij, thotë drejtori i Muzeut të Shkodrës, Fatmir Juka.

Duke renditur përparësitë dhe veçoritë e njohura të qytetit, në hyrje të të cilit spikat Kështjella e Rozafës, e cila shtrihet në kodrën në të djathtë të rrugës hyrëse, pranë lumit Drin, ndërsa në krahun tjetër, pranë malit të Taraboshit, gjendet lumi Buna e më pas liqeni më i madh i Ballkanit, liqeni i Shkodrës.

Kalaja e Rozafës

Është e pamundur që të vizitosh Shkodrën e të mos shkosh tek ky objekt. Kur hyn në qytetin e Shkodrës, pasi kalon urën e Bahçallëkut në të djathtë kryhet një rrotullim, që të çon tek rruga hyrëse për në kalanë e Rozafës, ndërsa janë të pranishme dhe tabelat përkatëse. Nga brenda qytetit drejt kalasë shkohet dhe me linjë urbane, e cila kushton 30 lekë të reja deri tek rruga që të çon më pas drejt kështjellës, e cila nga ky drejtim ndodhet në krahun e djathtë. Rruga drejt këtij objekti është asfaltuar vetëm pak muaj më parë dhe atje mund të shkohet me mjete deri në gjysmën e lartësisë ku ka dhe një parkim pranë rrugës së kalldrëmtë që fillon që nga poshtë kalasë.

Parku arkeologjik me në qendër kalanë e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Rrethohet prej ujrave të tre lumenjve; Bunës, Drinit dhe Kirit. Historiani Fatmir Juka shpjegon se Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Është 2400-vjeçare. Ka origjinë ilire dhe historiani Tit Livi e përmend si vendi më i fortë i Labeatëve, fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës. Mbretëresha ilire, Teuta, e ka përdorur atë si bazë në luftrat kundër Romës. Emri Rozafa del sërish në mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda, e cila ka në qendër mbajtjen e fjalës së dhënë dhe si subjekt është murosja e Rozafës, nuses më të re të tre vëllezërve që ngrinin muret e kalasë, por të cilat shembeshin natën. Në hyrje të kalasë ndodhet bazorelievi i Rozafës dhe uji gëlqeror, i cili depërton tek hyrja kryesore dhe lidhet me fantazinë popullore si qumështi i gjirit të Rozafës, i cili u la jashtë gjatë murosjes për të ushqyer foshnjen e saj. Muret e kalasë së Rozafës kanë një gjatësi prej 880 metrash dhe rrethojnë një sipërfaqe prej 9 hektarësh. Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek. XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu, aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudha të ndryshme të kalasë.

Xhamia e Plumbit, e vetmja me stil osman

Jo larg kalasë ndodhet një tjetër objekt me vlera të veçanta arkitektonike, kulturore dhe  historike, Xhamia e Plumbit. Sipas drejtorit të Muzeut të Shkodrës, Fatmir Juka, ajo është e vetmja ndërtesë kulti në Shqipëri, e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë Rozafa, në ansamblin muzeal që e rrethon, kjo xhami ka tërhequr vizitorë të shumtë. Ajo është monument kulture që nga viti 1948 dhe si e tillë i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit në vitin 1967, kur u ndalua predikimi i fesë. Në dhjetor të vitit 1990, këtu u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj. Xhamia e Plumbit vazhdon të funksionojë si objekt kulti dhe sot. Por dhe pse një objekt me vlera të veçanta dhe unikale në Shqipëri, kujdesi për të ka munguar dhe ndërhyrjet restauruese kanë qenë mjaft të pakta. Xhamia është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Si nga ana e pamjes që paraqitet në çdo anë, ashtu dhe nga vlerat që mbart kjo zonë, tërheq vizitorë të shumtë vendas e të huaj. Por e veçanta e kryeqendrës së veriut nuk mbaron vetëm tek kjo zonë. Në brendësi të tij ndeshesh me të tjera objekte që dëshmojnë lashtësinë, kulturën dhe të veçantat e qytetit. Monumente të shumta kulturore, shtëpi karakteristike shkodrane, gjen thuajse në çdo lagje të saj dhe pse ndryshimet urbane gjatë viteve kanë qenë të shumta.

Muzeu i Shkodrës

Është i vendosur në afërsi të qendrës në një banesë karakteristike shkodrane. I ndërtuar rreth fundit të shekullit të XIX dhe ka statusin e monumentit të kulturës. Ai ka sektorin  e arkeologjisë, sektorin e etnografisë, sektorin e arkivit dhe relikeve historike dhe bibliotekën. Janë rreth 1500 objekte arkeologjike, që vijnë nga gërmimet ose të gjetur rastësisht në të gjithë pellgun e Shkodrës. Përfaqësojnë të gjitha periudhat historike nga Neoliti 6000 vjet para Krishtit deri në Mesjetën e vonë, shek.XVI pas Krishtit. Sektori i Etnografisë ka një fond prej rreth 1500 objektesh, që i përkasin shek. XVIII – XX. Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës e zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij, Dukagjinit, Malësi e Madhe, Shllak, Postrribë, Zadrimë, Anamalit, Krajë si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës. Sektori i historisë përbëhet nga objektet historike, arkivi dhe pinakoteka. Fondi i objekteve historike të muzeut (455 objekte) përbëhet kryesisht nga disa koleksione që dokumentojnë periudhën nga shek.XVII deri më sot si ai i armëve, reliekeve të personaliteteve të shquara, flamujve shqiptarë, vulave të institucioneve të ndryshme etj. Dokumenti më i vjetër, i shkruar me dorë, duke përdorur disa ngjyra, është një pergamen mesjetare me katër faqe, e llojit palimpsest, e shkruar në greqishten e vjetër. Fototeka e muzeut përbëhet nga 1927 njësi filmike, origjinale ose riprodhime me rreth 3000 imazhe dhe rreth 10.000 fotografi.

Sipas drejtorit të tij, Fatmir Juka, është duke u përgatitur një sallë e re ekspozuese, ajo e Rilindjes Qytetare Shkodrane. Kjo sallë do të përmbajë dokumente, materiale dhe objekte që paraqesin figurat historike dhe aktivitetin e tyre në periudhën që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri pas pavarësisë. Çmimi për të vizituar muzeun historik të Shkodrës është 150 lekë të reja.

Rruga e Pjacës

Është e njohur me këtë emër, pasi tradicionalisht aty bëhej shëtitja karakteristike e pasdites dhe e mbrëmjes. E rikonstruktuar sipas modelit të dikurshëm, kjo rrugë të afron trashëgimi kulturore të qytetit, fasada banesash dhe mjaft njësi shërbimi apo punimesh artizanale, që ky qytet i ka traditë dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme.Vizitorët mund të gjejnë punime prej druri, guri, pëlhure, leshi, argjendi etj. Në krye të rrugës është një tjetër objekt i trashëgimisë kulturore, Truma e Dugajve të Reja, ndërsa po rikonstruktohet dhe një tjetër rrugë muzeale, ajo e Gjuhadolit. Gjatë shëtitjes në qytetin e Shkodrës ndeshesh dhe me banesa të tjera karakteristike, të shpërndara në lagje e rrugë të ndryshme të tij si Kulla e Markagjonit, Kafja e Madhe, Hamami, banesa e familjes Çekaj, banesa e Pashko Vasës etj. Rruga muzeale në qendër të qytetit të Shkodrës, e projektuar nga Kolë Idromeno, emrin e të cilit mban, është një tjetër destinacion turistik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›