E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria 5 bilionë euro investime në 440 HEC-e”

18/12/2009  Kryeministri mban fjalim në samitin e Kopenhagës për ndryshimet klimatike
Vendi i pasur me burime, prej të cilave mund të prodhohet energji e pastër
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në samitin për ndryshimet klimatike, që zhvillohet në Kopenhagë, se Shqipëria synon të shndërrohet në një superfuqi të energjisë së gjelbër në rajon. Kreu i qeverisë theksoi se aktualisht rreth 95 për qind e burimeve dhe konsumit të energjisë së vendit tonë vjen nga energjia hidrike, pasi potencialet hidrike janë shumë të mëdha dhe më shumë se 2/3 mbetet ende për tu shfrytëzuar. Për të forcuar deklaratën e tij për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi rajonale energjetike, kryeministri Berisha theksoi se qeveria e tij planifikon të ndërtojë rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej së paku 20 miliardë kilovat-orë. Por shefi i ekzekutivit tha se në Shqipëri mund të prodhohet lehtësisht energjie eolike (prodhimi energjisë nga era), duke shfrytëzuar lartësitë malore dhe bregdetin. Ai bëri me dije se qeveria po përpiqet të inkurajojë prodhimin e energjisë së erës dhe deri tani janë licencuar mbi 2000 parqe eolike, ndërkohë që mijëra të tjera janë në studim e sipër. Në këtë fjalim Berisha ishte i vetëdijshëm për efektet e krizës globale, e cila ka ngadalësuar flukset financiare. “Së bashku, energjia hidrike, e erës dhe biomasa, bëjnë më shumë se 5 bilionë euro kontrata të nënshkruara si koncensionar. Shpresoj se ky samit do të inkurajojë institucionet financiare për t’i dhënë prioritet financimit të projekteve të tilla. Do të jetë shumë fitimprurëse jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Në këtë samit, i cili është vlerësuar nga të gjithë liderët e vendeve më të fuqishme të botës, kryeministri shqiptar foli mbi eksperiencën në vendin tonë. Ai u shpreh se Shqipëria, edhe pse çliron në atmosferë 5 herë më pak gazra me efekt “serrë” për frymë të popullsisë në krahasim me vendet e industrializuara, është një vend që ka filluar të përballet me pasojat që lidhen me ndryshimet e klimës, veçanërisht në zonën e bregdetit të Adriatikut. Por ai theksoi se Shqipëria është e vendosur për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga UNFCCC dhe Protokolli i Kiotos. “Qeveria shqiptare ka integruar në strategjinë e saj të zhvillimit kombëtar parimin e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe nxitjen e teknologjive të gjelbra, duke synuar drejt një ekonomie pa karbon”, - tha Berisha. Duke folur në samitin për ndryshimet klimatike, kreu i qeverisë tha se Shqipëria po kalon një revolucion të ri industrial, sepse industria e mëparshme rezultoi në një dështim për shkak të teknologjisë së vjetër.
Rrugëzgjidhje
Për Berishën samiti duhet të gjejë rrugëzgjidhje për kuota të reja reduktimi të emetimeve të gazeve me efekt “serrë” dhe të ofrojë përgjigje për disa nga problemet e evidentuara gjatë zbatimit të Protokollit të Kiotos, si: krijimi i një sistemi monitorimi për zbatimin e detyrimeve për reduktim nga vendet anëtare, konsolidimi i një sistemi kontributi financiar dhe transfertash të teknologjisë ekologjikisht të pastër drejt vendeve në zhvillim apo të pazhvilluara.
Kontributi Shqipërisë
Kryeministri theksoi se Shqipëria, si një vend i prekur nga ndryshimet klimatike, është e interesuar dhe e gatshme për te kontribuar për zgjidhjen e çështjeve për të cilat kohët e fundit po diskutohet intensivisht në lidhje me ndryshimet klimaterike. “Dua t’ju siguroj se Shqipëria mbetet e gatshme të kontribuojë në përpjekjet kundër ndryshimit të klimës dhe për të vënë në jetë vendimet e këtij samiti të rëndësishëm”, - ka deklaruar Berisha.
Ndryshimet klimatike
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare i konsideron ndryshimet klimatike si një prej kërcënimeve më serioze me të cilën përballet planeti ynë. Sipas tij, këto ndryshime klimatike përbëjnë një prej çështjeve më komplekse që duhet trajtuar me vendosmëri dhe efikasitet. Ai theksoi se qeveria shqiptare ka integruar në strategjinë e saj të zhvillimit kombëtar nxitjen e teknologjive të gjelbra, duke synuar drejt një ekonomie pa karbon.
Rregullat
Kryeministri tha se në Shqipëri, si një vend që është në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, gjithë zhvillimi industrial dhe aktiviteti ekonomik i vendit po realizohet nën rregulla të rrepta ligjore, miqësore me mjedisin dhe konform normave dhe standardeve të BE-së. “Së bashku, energjia hidrike, e erës dhe biomasa, bëjnë më shumë se 5 bilionë euro kontrata të nënshkruara si koncensionar”, - ka deklaruar Berisha në seancën e djeshme të samitit.
Objektivi
Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka vendosur objektiva të qartë. “Qeveria ka integruar në strategjinë e saj të zhvillimit kombëtar parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive të gjelbra, duke synuar drejt një ekonomie pa karbon”, - ka deklaruar ai. “Ne mbetemi të përkushtuar në programin e pyllëzimit të të gjitha zonave të shpyllëzuara gjatë 5 dekadave të fundit, si dhe promovimit të ekoturizmit në këto zona”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›