Banesat me qira, kush përfiton nga ky program
18/12/2009 Procesi i përzgjedhjes fillon në tremujorin e parë të vitit 2010
Personat që kërkojnë strehim në një prej programeve të Ministrisë së Punëve Publike, siç është ai i banesave me qira duhet të plotësojnë një tjetër kërkesë konfirmimi vitin e ardhshëm. Procesi i përzgjedhjes së përfitueseve të këtij programi fillon në tremujorin e parë të vitit 2010. Ministria e Punëve Publike njofton se familjet përfituese do të përzgjidhen nga bashkitë sipas procedurave ligjore, por për t’u përfshirë në këtë projekt personat e interesuar duhet t’i drejtohen bashkive që marrin pjesë në këtë program.
Miratimi i listës
Ekspertë të sektorit të Strehimit në këtë dikaster kanë përpiluar edhe rrugën që do të ndiqet deri në miratimin e listës emërore. Fillimisht është plotësimi i formularit tip nga personi që kërkon strehim dhe dorëzimi i tij pranë zyrës përkatëse në bashki. Kjo procedurë ka filluar që në vitin 2005 dhe është vijim. “Bazuar në numrin total të apartamenteve që ndërtohen në çdo bashki si dhe një informacion të plotë mbi projektin dhe kushtet që duhet të plotësojë familja, zyrat përkatëse në bashki, brenda tremujorit të parë të vitit 2010 njoftojnë të gjitha familjet që kanë aplikuar për t’u trajtuar me strehim, nëpërmjet programit të banesave sociale me qira, për të rikonfirmuar interesin për të marrë pjesë në projekt”, - theksohet në planin e hartuar për këtë projekt. Më pas, zyrat përkatëse në bashki, klasifikojnë aplikimet sipas grupeve të cilave u përkasin, bazuar në nenin 5 të ligjit nr. 9232/2004 dhe ia kalojnë Komisionit të Strehimit. Komisioni i Strehimit, ngrihet me vendim të Këshillit Bashkiak dhe në përbërje ka edhe përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e grupeve të prekshme të shoqërisë.
Përzgjedhja
Komisioni i Strehimit, përzgjedh listën emërore të familjeve bazuar në numrin total të familjeve që kanë aplikuar dhe që plotësojnë kushtet për t’u bërë pjesë e projektit, në sistemin e pikëzimit të miratuar për këtë projekt, në bazë të prioriteteve vendore, të cilat rrjedhin nga predominimi i një kategorie të caktuar sociale dhe ekonomike të familjeve, numrit të apartamenteve disponibël, në bazë të nivelit të të ardhurave të familjeve që kanë aplikuar, si dhe në bazë të buxhetit vendor të deklaruar për subvencionimin e qirasë, për grupe të veçanta. Pasi ka bërë klasifikimin, sipas sistemit të pikëzimit, Komisioni i Strehimit, vendos në vend të dukshëm listën emërore dhe pikët e grumbulluara dhe pret ankesat nga qytetarët që nuk kanë përfituar. Pas përmbushjes së afatit ligjor për pritjen dhe trajtimin e ankesave, lista emërore përfundimtare i kalohet Këshillit Bashkiak për miratim.