Vrasësi i policëve dënohet me burg përjetë
18/12/2009 Afrim Hasanaj ekzekutoi me paramendim dy policët në Shënmëri të Kukësit
Avokati: Gjendja e tij shëndetësore dhe psikologjike është tepër e rënduar
TIRANË – Deklarohet fajtor nga gjykata vrasësi i dy policëve në fshatin Shënmëri të Kukësit, Afrim Hasanaj dhe dënohet për këtë krim me burgim të përjetshëm. Gjykata nuk e ka pasur të vështirë të japë një vendim të tillë, që në momentin kur deklaroi se të gjitha provat flasin për një krim të kryer me paramendim dhe pas një qëndrimi jo mohues nga vet i pandehuri. Afrim Hasanaj nuk ndodhej në sallën e gjyqit në momentin kur është shpallur vendimi. Megjithatë, ai do të jetë në burg deri në fund të jetës së tij pa pasur të drejtën e përfitimeve nga ligji. Kjo që nga momenti që vendimi të marrë formë të prerë. Aktualisht të pandehurit i lind e drejta të bëjë ankim kundër vendimit në dy shkallët e tjera të gjyqësorit. I vetmi shkak që avokati është kapur për të vazhduar ankimin është gjendja e tij shëndetësore dhe psikologjike. Sipas avokatit, gjykata nuk mori parasysh faktin se ai vuan nga lëvizje të ekuilibrit mendor. Hasanaj u deklarua fajtor për veprën penale të “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtjes pa laje”. Ai e ka mësuar masën e dënimit nëpërmjet avokatit mbrojtës, i cili gjatë gjithë kohës kërkoi rishikimin e aktit të ekspertizës duke pretenduar se vepra është kryer në kushtet e papërgjegjshmërisë absolute. Por për gjykatën, i pandehuri ka qëlluar me koshiencë të plotë kundër dy punonjësve të policisë Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha. Ngjarja ndodhi më datë 24 mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të lindur midis autorit dhe dy punonjësve të policisë, pasi ata e kishin kallëzuar Afrim Hasanin, person me precedentë të mëparshëm penalë në Prokurorinë e rrethit gjyqësor, Kukës për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit. Hasanaj ishte kallëzuar nga një banore e fshatit, pasi kishte hyrë në lokalin e saj dhe kishte thyer disa orendi. Pas këtij kallëzimi dy punonjësit e policisë i kanë kërkuar sqarime dhe e kanë ndaluar për t’i bërë kontroll. Por i pandehuri nuk e ka pranuar këtë fakt. Ai është konfliktuar me dy policët dhe më pas ka vajtur në shtëpi ka marr armën e ka qëlluar me vetëdije. Pas ngjarjes ai ka lajmëruar disa prej pjesëtarëve të familjes për krimin që kishte bërë.