E Diel, 1 Nëntor 2026

Aventura gjeorgjiane e kuqezinjëve nis me analizën e së shkuarës

Nga ILIR CARA

Trajneri De Biazi së pari ka krye një analizë ilustruese me ndeshjet e fundit të kombëtares dhe pasdite ka kryer një seancë tekniko-taktike, ku të pranishëm kanë qenë vetëm 15 futbollistë, 4 të tjerë mbërritën në mbrëmje

Kuqezinjtë kanë mbërritur të dielën në Tbilisi për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë, që do të luhet nesër, në orën 15:00. Me këtë takim pretendohet se te Shqipëria, nën drejtimin e trajnerit italian, Xhani De Biazi, nis një epokë e re, madje revolucionare, sepse pritet një ripërtëritje e ekipit kombëtar. Delegacioni shqiptar është akomoduar në hotelin Holiday Inn, që ndodhet në kryeqytetin gjeorgjian.

Mëngjesi ka qenë i lirë për lojtarët dhe më pas trajneri Xhani De Biazi ka bërë një analizë  interesante. Analiza e trajnerit italian me futbollistët e pranishëm dje kishte të bënte me ndeshjet e fundit që ka zhvilluar ekipi kombëtar. Analiza e De Biazit është ilustruar me ndeshjet e kuqezinjëve  me Malin e Zi, Bjellorusinë, Luksemburgun, Francën dhe Rumaninë.

Skaneri i trajnerit italian është përqendruar te taktikat që ka përdorur skuadra në këto ndeshje, si dhe vendosjen e futbollistëve në momente të caktuara në sfidat e lartpërmendura. Pra, pjesën e parë të ditës së hënë trajneri De Biazi e ka shfrytëzuar me analizimin e asaj që Shqipëria ka prodhur në ndeshjet e fundit.

Është thënë prej kohësh se menjëherë pas zyrtarizimit të Xhani De Biazit në krye të kombëtares shqiptare, drejtuesit e federatës i kanë dhënë italianit disa kaseta të ndeshjeve të kuqezinjëve. Fakt të cilin e ka pranuar edhe vetë trajneri De Biazi, pasi ka pohuar se ka parë shumë ndeshje të kuqezinjve dhe mbi të gjitha i ka pëlqyer shpirti i garës i futbollistëve, që dinë të reagojnë edhe pas pësimit të golave.

Skaneri i djeshëm i trajnerit italian në pamje të parë ka nxjerrë të metat që kuqezinjtë kanë shfaqur në këto takime, gabime të cilat ai nuk dëshiron ti ketë pjesë të menusë së tij. Në daljen e fundit për mediat, trajneri De Biazi la të kuptojë se nën drejtimin e tij në skuadrë do të hiqet termi unë, pasi ai preferon të punojë me ne.

Le të shpresojmë që do të ndodhë kështu, pasi me këtë filozofi i bie që te kuqezinjtë nuk ka gjeneralë, por të gjithë do të jenë ushtarë të trajnerit Xhani De Biazi. Gjithashtu, italiani e ka bërë të qartë se në ekipin që drejton nuk ka të pazëvendësueshëm dhe do të luajë ai që është në formë dhe që aktivizohet më shumë në klub.

Seanca e parë Dje, kuqezinjtë kanë pasur mundësi të kryejnë edhe një seancë stërvitore në terren. Kjo seancë e pasdites ka nisur në orën 17:30, sipas orës lokale, në fushën sportive të Dinamos së Tbilisit. Gjeorgjia i bie të jetë tre orë para Shqipërisë, kështu që orari i fillimit të seancës së pasdites i bie 14:30 me orën tonë. Pjesa e parë e kësaj seance kishte të bënte me vrapime të lehta dhe ushtrime shkrydhëse.

Pjesën tjetër të seancës përgatitore trajneri De Biazi e përdori në aspektin tekniko – taktik. Trajneri italian përdori disa skema loje, të cilat mendohet se do të përdoren edhe të mërkurën ndaj Gjeorgjisë. Nga ajo që u pa dje, u vërejt se ndaj Gjeorgjisë trajneri Xhani De Biazi mund të hedhë në fushë një formacion, që mendohet të jetë më i kujdesshëm në mesfushë. Mendohet se nesër Shqipëria mund të jetë përballë Gjeorgjisë me 4 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe 1 sulmues, pra skema mund të jetë 4-5-1.

Mbërrijnë 4 të fundit Trajneri Xhani De Biazi dje nuk e ka pasur të plotë grupin, pasi si në analizë, por edhe në seancën stërvitore të pasdites, mungonin katër futbollistë. Portieri i Novarës, Samir Ujkani, sulmuesi i Lokarnos, Armando Sadiku, si dhe dyshja e futbollistëve të Vorskla Poltavës, Armend Dallku dhe Ahmed Januzi, i janë bashkur grupit në darkë. Pra, trajneri De Biazi ka pasur në dispozicion 15 futbollistë, Shehi, Smajli, Veliu, Osmani, Muzaka, Hyka, Bulku, Çani, Vila, Lila, Agolli, Zeqiri, Roshi, G.Lika e Bakaj.

Sot, stërvitje në orarin dhe stadiumin e miqësores

Takimi GjeorgjiShqipëri do të luhet më 29 shkurt, ora 15:00, në Mikheil Meshi, stadium ku luan Lokomotiva e Tbilisit. Sot trajneri De Biazi me një grup të plotë do të kryejë një seancë stërvitore në stadiumin ku do të luajë miqësoren e së mërkurës, pikërisht në orën 18:00, sipas orës lokale, ose 15:00 me orën shqiptare. Kjo seancë e sotme do të jetë përcaktuese për të parë se me çfarë formacioni do ta nisë Shqipëria e trajnerit Xhani De Biazi përballjen me Gjeorgjinë.

Padyshim, humbja është ajo që mendohet më pak në kampin kuqezi, për vetë faktin se ky test ka të bëjë edhe me debutimin e trajnerit italian në krye të kombëtares shqiptare. Takimi GjeorgjiShqipëri do të gjykohet nga një treshe moldave, me kryesor Genadi Sidenko dhe ndihmës të tij Oleg Molçanov dhe Vitali Gorbatov.

Presidenti Duka dhe  zv. presidenti Nuri, njësh me skuadrën

Shqipëria ka udhëtuar drejt Gjeorgjisë me një delegacion më të vogël sesa ka bërë në të shkuarën. Por edhe kësaj radhe kuqezinjëve nuk u mungon prezenca dhe përkrahja e zyrtarëve më të lartë, presidentit Armand Duka dhe zv.presidentit Lutfi Nuri. Dyshja DukaNuri është bërë njësh me ekipin jo vetëm në ambientet ku është akomoduar skuadra, por edhe në stërvitje. Presidenti Duka dhe zv.presidenti Nuri e kanë ndjekur nga afër seancën përgatitore që kuqezinjtë kanë kryer pasdite në fushë sportive të Lokomotivës së Tbilisit.

Kompanitë e basteve favorizojnë vendasit

Për kompanitë e basteve, Gjeorgjia shikohet si favorite për të fituar miqësoren me Shqipërinë. Sipas këtyre kuotimeve, kuqezinjtë do ta kenë të vështirë për të fituar në Tbilisi, madje edhe barazimi ka një koeficient relativisht të lartë. Kjo miqësore është e kuotuar në të gjitha kompanitë e basteve, si brenda dhe jashtë vendit, ku ka një luhatje të lehtë koeficientësh. Por gjithçka luhatet në këtëo shifra: 1.75 fitorja e Gjeorgjisë, 3.5 barazimi dhe 4.5 fitorja e Shqipërisë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›