Shqipëria blu
Sa ngjyrë e shpifur që na është bërë. Imagjinoni Shqipërinë e vogëlth, të kuqe (aty ku janë prerë pyjet), pak të gjelbër (kryesisht shkurre) e pak blu (Jon) plot me beton, të vishet edhe e gjitha vetëm me blu. Ashtu siç është veshur gjithë këto kohë poshtë këmishës, si kanotiere: me punësime në administratën blu, me media e gazetarë blu, me intelektualë blu, me OJQ, shoqata, sindikata, mjekë e kryepleq që luajnë në mbrojtje në ekipin me fanella blu.
Tanimë, gjatë fushatës blu që të fanitet dhe syve në rrugë e në lagje, në makina blu që valëvisin flamuj blu që bredhin zhurmshëm gjithandej.
Në këtë fushatë blu me pak të kuqe gjaku e me të kuqen e LSI-së tek- tuk nëpër turma të sjella me kërcënime blu, një zë i ngjirur çirret si çifuti në shkretëtirë. Vetëm se duke u endur nëpër Pukë, Krujë, Tepelenë, e Fushë-Krujë, merr me vete një oaz lëvizës blu që derdhet në sheshe e salla të mbushura cip më cip. Pas tij, kryesisht fëmijë me duart lart e me pankarta në to, bërtasin e çirren ndërkohë që çjerrja e endacakut i mbyt të gjitha. Herë pas here, çjerrja kthehet në ulurimë të çjerrur që mbjell dallgë- dallgë ulurima e çjerrje të tjera nga turmat me sy të zbrazët si të hipnotizuar nga një guru.
Ju flet e ju çjerr për Evropën, të cilën e premton gjithandej, edhe në Tepelenë, edhe në Pukë, edhe në Elbasan, gjithandej Në Korçë e në Pogradec, ka guxim e ju flet, pa iu dridhur qerpiku, të varfërve për pasuri imagjinare, të këputurve për punësime e ngritje rrogash, atyre me lista ju premton tunele E gjitha kjo e shoqëruar me çjerrje mbi çjerrje, ashtu të padëgjueshme, kërcënuese e ndjellakeqe. Ja disa prej tyre, marrë nga TCH.
Sali Berisha në Fushë-Krujë:
Me djersën e ballit tonë, me rrudhat e ftyrs sonë, qëndrojnë sukseset tona të mdha. Qëndron vendosmëria jonë për tndërtue tardhmen që meritojnë qytetarët dhe fmijt tanë. Qëndron vullneti ynë i hekurt, për tndërtue Europën në Fush-Krujë dhe kudo, në tkatër ant e ktij vendi
E gjitha kjo ndërkohë shoqërohet me ulurima e me bërtitje gati- gati histerike nga njerëz që as marrin mundimin të dëgjojnë çthotë ai guru-ja që çirret më fort se të gjithë, disa prej tyre prej qejfit, disa ndoshta prej hallit?
Në Tepelenë:
Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më e suksesshme lufta kundër varfërisë dhe kundër papunësisë (???). Dy javë më parë, Komisioni Europian do tdeklaronte, se edhe në kulmin e krizës, në Shqipëri, jo vetëm nuk u rrit papunësia, por ajo u ul në mënyrë të ndjeshme. Sot, sërish në Shqipëri, ka papunësi, sërish në Shqipëri ka varfëri, sërish në Shqipëri ka qytetarë që marrin bukën me lista (dmth e di këtë, si Ramizi me radhat e qumështit atëkohë). Por unë i garantoj ata, se gjersa të krijohen gjitha vendet e puns, kjo qeveri do të bëj gjithçka për ta.
Për ta mbyllur me çjerrjet, vazhdimisht e vetëm mes ulurimash:
Për ne, ju jeni të part, fëmijt tuaj janë të part, familjet tuaja janë të part, Tepelena është e para, Shqipëria është e para, Tepelena blu, Përmeti blu, Tirana blu, Kuksi blu, Shqipëria blu.
