E Diel, 1 Nëntor 2026

Demagogjia politike si strategji, përballë Beogradit me strategji politike

26-04-2011 / Nga Rexhep Kastrati

Për deklaratën e kryesuesit të delegacionit serb në negociata Prishtinë-Beograd, kryesuesja e delegacionit të Prishtinës ka vetëm një keqardhje se Beogradi na paska mbetur në pozicionet e Milosheviqit. Në fakt, ajo për të cilën duhet të na vijë keq të gjithëve, është fakti se si kryesuesja e delegacionit të Prishtinës, nuk e ka të qartë, se Serbia ndaj Kosovës ka ndjekur politikë shtetërore, në bazë të projekteve të hartuara nga akademikë të ndryshëm serbë dhe nga vetë Akademia e Serbisë, dhe si e tillë nuk përcaktohet nga garniturat politike që ndërrohen me zgjedhje. Vetëm Edita Tahirin jemi duke e dëgjuar të përdorë togfjalëshin “qeveria e Kosovës...”, e që do të thotë se ajo përfaqëson vetëm një pjesë të Kosovës, atë që quhet qeveri e Kosovës, e cila përbëhet nga pakica e shumicës shqiptare në Kosovë. Në anën tjetër, kryesuesi i delegacionit serb, në negociata ka hyrë me një platformë të qartë, dhe pasi që në axhendën e negociatave janë përfshirë shumica e propozimeve të Beogradit, kurse Prishtina ka hyrë pa platformë të qartë. Në këtë kontekst, është për të të ardhur keq, sesi Edita Tahiri sërish kthehet në pikën fillestare, dhe merret me përkufizime të këtyre negociatave, kur ajo çështje tashmë është tejkaluar nga vetë rrjedhat e procesit negociator. Ajo, ende këto negociata i quan teknike, edhe pse në to po negociohet politikisht, e edhe zgjidhjet po kërkohen politikisht. Ajo, ende këto negociata i quan teknike, edhe pse po bëhen nga politikanët, e jo nga ekspertët. Është e qartë për të gjithë se Edita Tahiri nuk është eksperte për asnjërën nga çështjet që po diskutohet, dhe në ato negociata është për të përfaqësuar politikën, e jo ekspertët. Fakti se në këto negociata po negociohet ndërmjet politikanësh dhe po kërkohen zgjidhje politike, këto negociata i përcakton qartësisht politike. Dhe kjo vlen edhe për çështje që janë, ose që duhej të ishin tërësisht të brendshme, siç është çështja e targave të makinave, pasi që edhe për këtë çështje duhet të negociohet me Beogradin, e që do të thotë se duhet të gjendet një zgjidhje politike që do t’i pëlqente edhe Beogradit. Dhe kjo vlen për veriun e Kosovës, por edhe për enklavat, sepse për shqiptarët, kanë filluar të shpërndahen targat e reja të makinave. Pra, edhe më çështjen më të thjeshtë, më apolitike, dhe tërësisht të brendshme, po vihet në pah ndarja e Kosovës. Bile ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, para do kohësh, edhe zyrtarisht ka lejuar që të shpërndahen targa të makinave nga Serbia. Pse duhej të pajtohej? Për më tepër, pse nuk i konfiskon makinat me targa të Serbisë? Dhe kjo ndodh për shkak se, në pozitën në të cilën ndodhet, Prishtina është e pafuqishme për të bërë qoftë edhe hapin më të vogël për të shpërbërë strukturat e shtetit serb në veri të Kosovës, për të mos thënë edhe mungon vullneti për ta bërë këtë, kur të kihet parasysh historiku i takimeve të Bajram Rexhepit me përfaqësues të atyre strukturave, të cilave u kishte premtuar autonomi për veriun.
Duhet thënë se tash nuk është çështje, a do shtrohet apo jo për diskutim ndarja e Kosovës, sepse ajo faktikisht është e tillë, por si do të ribashkohet? Dhe kjo është një pyetje, të cilës duhet dhënë përgjigje nga ana e Edita Tahirit dhe të tjerëve rreth saj. Pra, si do të zhbëhen strukturat e shtetit serb në veri, por edhe në enklava? Si do të detyrohen serbët të heqin dorë nga këto struktura, dhe si të detyrohen t’i pranojnë strukturat e shtetit të Kosovës, pa iu garantuar atyre shkallë e lartë e autonomisë? Dhe për të gjitha këto, Prishtina nuk ka përgjigje, apo thënë më mirë, përgjigjja e saj është pafuqia e saj, mungesa e vullnetit dhe e strategjisë. Ku është sot, e ashtuqujatura “strategji për veriun”? A ka ekzistuar ajo me të vërtetë, apo ka qenë thjesht një copë letër e bardhë e njollosur me të zezë? Këto janë çështje substanciale, për të cilat janë duke u bërë negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e që Serbinë e kanë bërë edhe zyrtarisht përcatuese të zhvillimeve të brendshme në Kosovë. Me këtë, është pak të thuhet se është shkelur edhe kjo Kushtetutë e keqe dhe me shumë rreziqe për Kosovën, sepse e vërteta është se këto negociata e kanë kthyer çështjen e Kosovës në pozitë më të keqe sesa që ka qenë para se të shpallej e ashtuqujatura pavarësi. Është kështu për faktin se tashmë Beogradit i është mundësuar që të ketë veton e vet në të gjitha çështjet e brendshme të Kosovës, për të cilat ka interes Serbia. Fakti që shtrohet çështja e zhbërjes së strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë, është i mjatueshëm për të kuptuar se veriu i Kosovës po funksionon si pjesë e Serbisë, pra jashtë juridiksionit të Kosovës. Dhe kjo është e vërtetë, sa është e vërtetë se Beogradi është i vendosur që të mos pranojë asnjë hap përparimi në negociata, pa u fokusuar edhe në këto çështje. Por edhe sikur të kishte përparim në negociata, në formulime dhe zgjidhje të tilla që e favorizojnë Beogradin, prapë se prapë, e humbura do të ishte Kosova. Nëse, edhe më tej unë nuk do të mund të kaloj nëpër Serbi me letërnjoftim apo pasaportë të Kosovës, nëse unë për të dërguar një kamion me mall nëpër Serbi, duhet të ndalem në një doganë që nuk mund të ma lëshojë dekomentacionin përkatës në emër të Republikës së Kosovës, nëse unë për t’u mjekuar në ndonjë klinikë të Serbisë, sikurse në klinika të shteteve të tjera, nuk mund të paraqes dokumentacion mjekësor në emër të Republikës së Kosovës, si mund të them se kam raporte të mira fqinjësore me Serbinë si dy shtete të pavarura? Me se do të detyrohet Serbia që t’i pranojë të gjitha këto? Me anëtarësim në BE? Po të kishte dashur Serbia të anëtarësohej me çdo kusht në BE, do të kishte hequr dorë moti nga interesat strategjike në Kosovë, ndoshta nuk do të bënte as masakrat. Mund të merret me mend se çfarë imazhi pozitiv do të kishte Serbia sikur të pajtohej në tavolinë për pavarësinë e Kosovës, pra pa e bërë asnjë krim të vetëm? Po sikur të mos i bënte ato që i ka bërë në Bosnjë? Dhe Serbia ka qenë e vetëdijshme për këtë, por ka pranuar më mirë të gjitha ato që ndodhën, sesa të hiqte dorë nga interesat strategjike jo vetëm në Kosovë. Dhe kur e shtron tashmë mundësinë e ndarjes së Kosovës, përkatësisht zyrtarizimin e saj, Serbia po dëshmon fuqishëm se po ndjek një politikë koherente shtetërore, pavarësisht nga garniturat politike qeverisëse, si dhe po dëshmon çdo ditë se strategjia e saj në këto negociata është e tillë që të çojë deri te zyrtarizimi i kësaj ndarjeje, ose te një autonomi  e lartë për serbët si zgjidhje kompromisi për momentin. Dhe këto po i bën përballë një Prishtine të dobët, një Prishtine, të përçarë, një Prishtine që është kthyer në një servis për dëmtimin e interesave të Kosovës, vetëm për të marrë apo për të qëndruar në pushtet, dhe që deri më tash ka realizuar shumë veprime të dëmshme për Kosovën. Dhe veprimi i fundit që Prishtina ka bërë në dëm të Kosovës, është edhe procesi i regjistrimit të popullsisë, për të cilin do të bëj një analizë konkrete dhe krahasimtare, në bazë të dokumenteve zyrtare që dëshmojnë për rritjen e popullsisë, që nga viti 1921 e deri më 1989, kur është bërë një projeksion nga Instituti i Statistikave të Kosovës, para se të hiqej autonomia e saj.
Dhe mbas gjithë këtyre, për çfarë po na flet Edita Tahiri, për çfarë keqardhje po na flet ajo?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›