Të vetëposhtëruarit e mëdhenj
Askush nuk mund të parashihte që dy njerëzit, të cilët e kanë kuptuar dhe pranuar se i prishin punë pushtetit të tyre me imazhin e tyre, do të ishin Sali Berisha dhe Ilir Meta. Diçka e rëndë do të ketë ndodhur në koshiencën e tyre politike derisa kanë arritur tu nënshtrohen këshillave të kompanive që u kurojnë fushatën për të mos u shfaqur askund bashkë, bile Metës askund në foto dhe ekrane. Është rasti klasik kur një politikan ka frikë përfundimisht nga portreti i tij. I trembet pasqyrës, ekranit, posterave, gjithçkaje që e identifikon në publik. Sali Berisha ka shkuar dhe më tej. U trembet dhe atyre që ka folur, që ka publikuar dhe që ka përdorur deri para dy muajsh për jetën private të kundërshtarit të tij. Si një dem i tredhur që përpiqet të imitojë një dem të gjallë, por të parrezikshëm, ai po sillet rrotull Tiranës, nëpër qytete të tjera të Shqipërisë, duke turfulluar që askush nuk ia beson rrugën e tij paqësore. Është e pazakontë për një fushatë elektorale që partia kryesore në vend të pranojë publikisht se kryetari i saj i prish punë në kryeqytet dhe në opinion publik. Edhe më e pazakontë është që këtë tezë ta pranojë kreu i shumicës dhe të sillet si një nxënës i bindur. Kjo do të thotë minimumi se ky njeri ka një frikë të madhe dhe një makth nga humbja e mundshme e pushtetit. Ndryshe nga sa bën si i fortë dhe luftëtar deri para dy muajsh, ndryshe nga sa bën si rrugaç lagjeje duke sharë me libër shtëpie deri para dy muajsh kundërshtarin e tij, ndryshe nga sa ka bërë si njeri që i del zot punëve të veta dhe partisë së vet, ai është sot një i vetëposhtëruar i madh i kësaj fushate, një malok që qytetari Lulëzim Basha i ka thënë më rri larg po qe se më do të mirën pasi nuk të do Tirana. Me këtë gjest, i cili mes të tjerash e bën qesharak, ai kam frikë se ka fokusuar më shumë atë për çfarë Tirana dhe realisht shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë dot, ka ekspozuar para tyre hipokrizinë, mungesën e sinqeritetit dhe personalitetin e dyfishtë. Ai ka pranuar para qytetarëve trukun si metodë politike të tij dhe është duke na thënë se po na gënjen me çunakë të ri, të keqpërdorur prej tij familjarisht herë në sallone e herë në bodrume, herë në ekrane e herë në prapaskena, herë në tendera një miliard dollarësh e herë në pagesa nën dorë, herë në vrasje në mes të bulevardit e herë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Sali Berisha është i vetëposhtëruari i madh i kësaj fushate, pasi është bindur ndoshta dhe gabimisht se mes humbjes së pushtetit dhe fshehjes së tij nga sytë e njerëzve si faktor që çon demokratët në humbje, ka zgjedhur fshehjen. Pra, ai ka pranuar se nuk është njeriu që çon PD në fitore, por është njeriu që mban në mënyrë të paligjshme kreun e saj dhe përdor figurina për të gënjyer njerëzit. Ky është një vetëposhtërim i pashembullt, për të cilin besoj se ka pak raste të ngjashme në politikën botërore.
Në të vërtetë aq vota sa ka PD dhe e djathta janë vota të tij. Me shpirt apo me gjysëm zemre, me ndershmëri apo me pak tinzari, ato vota prodhohen në emër të tij. Në emër të poshtërimit të tij siç po shkon kjo fushatë prodhohen vetëm barcaleta dhe forcohet fryma se ai ka vendosur të ikë vetë nga skena. Shqetësimi i tij i madh për të mos i dalë zot fushatës se i prish punë Lulëzim Bashës është në të vërtetë fillimi i fundit të protagonizmit të tij në politikën shqiptare. Fushata e vitit 2011 do të shënohet si fushata që detyroi Sali Berishën ti fshihej popullit nga sytë, pasi e kuptoi që e urrente.
Në një situatë me ekstreme ka shkuar Ilir Meta. Atë e ka përjashtuar nga fushata jo vetëm Partia Demokratike, por dhe vetë LSI. Ai nuk ka guxuar të nxjerrë portretin as në posterat e partisë së tij. PD ia ka ndaluar jo vetëm shfaqjen në Tiranë, por dhe në rrethe. Berisha shkoi në zemër të bastionit të tij në Çorovodë pa të, ndërsa ai duket se bën kujdes mos ta kapin as kamerat në këtë fushatë. Imazhi i tij i ulur në kolltuk me një bllok në dorë dhe një gisht që ngjyhej me pështymë për të kërkuar faqen tjetër, duket se kanë tronditur përfundimisht edhe qytetarin Ilir Meta, i cili duket se është bindur se zëvendëskryeministri Ilir Meta për popullin shqiptar është thjesht një hajdut.
Pra, nga mënyra si po degradon fushata elektorale dhe mesazhet politike që po përcjell ajo, ne jemi duke shënuar një rekord botëror kur dy bashkëkryetarët e koalicionit kanë kaluar në ilegalitet për të mos i parë populli me shpresë se kështu mund të shtyjnë dhe pak në pushtet. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bindur përfundimisht se kryeministri i vendit dhe ish- zëvendëskryeministri janë njerëz që urrehen nga populli shqiptar. Në këtë pikë ja vlen ti quash përfaqësues të shumicës në vend. Shumica e shqiptarëve beson vërtetë këtë gjë.
