E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Hungaria rinovojnë aleancën perëndimore të farkëtuar para 600 vjetësh

Kryeministri Berisha u prit dje në një takim në Pallatin e Parlamentit, nga homologu i tij hungarez, Kryeministri i Republikës së Hungarisë, Ferenc Gyurcsany. Pas ceremonisë zyrtare, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi bisedimet me Kryeministrin Gyurcsany dhe përfaqësuesit e lartë të politikës hungareze. Kryeministri Gyurcsany i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ky ishte një takim mes miqsh të vjetër që i dëshirojnë vetëm të mirën dhe zhvillimin njëri – tjetrit. Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira diplomatike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u shprehën për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në ekonomi, kulturë, arsim, etj. “Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës për vitet 2008-2010 midis dy vendeve tona , që do të nënshkruhet sot, tregon se këto marrëdhënie do vijnë duke u forcuar më tej.”, u shpreh kryeministri hungarez Gyurcsany. Kryeministri Gyurcsany u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria ndajnë të njëjtin vizion për integrimin në NATO dhe në BE, që janë dhe qëllimet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ne, vijoi më tej, Kryeministri hungarez Gyurcsany, besojmë në anëtarësimin tuaj në NATO dhe kemi mbështetur prej kohësh aspiratat tuaja për të qenë pjesë e NATO-s. Duke vleresuar pozitivisht modernizimin e forcave te armatosura shqiptare dhe kontributin e tyre në misionet paqeruajtëse përkrah NATO-s në Irak, Afganistan, Ballkan, zoti Gyurcsany u shpreh se Shqiperia do te gjeje tek Hungarie mbështetetje në procesin e saj drejt integrimit në NATO. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin hungarez për mikpritjen si dhe i shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e sinqertë për zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Gjithashtu Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin Gyurcsany për mbështetjen që Hungaria ka treguar dhe tregon ndaj procesit madhor të integrimit të Shqiperise në NATO dhe në BE. Shqipëria, u shpreh Kryeministri Berisha, është e interesuar të përfitojë nga Hungaria dhe nga eksperienca e saj e suksesshme në integrimin në NATO dhe në BE. Gjate takimit, Kryeministri Berisha e njohu Kryeministri Gyurcsany me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme si në ekonomi, në sistemin fiskal, në modernizimin e forcave të armatosura etj si dhe me luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha theksoi se këto përpjekje të qeverisë kanë bërë që Shqipëria të ketë një klimë të favorshme për investimet e huaja dhe shprehu bindjen se investimet hungareze, të mbështetura nga qeveria shqiptare, janë të mirëpritura dhe do të jenë një histori suksesi. Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri ekziston një klimë mjaft e mirë bashkëpunimi mes forcave politike, e cila po jep frytet e veta mbi të gjitha proceset dhe reformat në interes të vendit dhe proceseve integruese. Per sa i perket pavaresise se Kosoves, Kryeministri hungarez Gyurcsany shprehu vlerësimet më të larta për rolin moderator të Shqipërisë në rajon dhe pozicionin e saj në këtë çështje. Kryeministri Berisha u shpreh se ishte vendimtar uniteti i BE-se në pavarësinë e Kosovës dhe se Hungaria ka luajtur këtu një rol mjaft të çmuar. Ndër të tjera, Kryeministri hungarez Gyurcsany u shpreh se Hungaria është një nga ato vende që ndante të njëjtin mendim me shumë vende të BE se statusi i mëparshëm nuk ishte ai duhuri, ndaj duhej një marrëveshje mes palëve që për fat të keq nuk u bë e mundur. Hungaria, u shpreh zoti Gyurcsany, pas një procesi politik të duhur do të vijë sigurisht në njohjen e shtetit më të ri të botës. Pas këtij takimi u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës për vitet 2008-2010.
Berisha prezanton në Hungari para medias vendase dhe asaj ndërkombëtare rezultatet e reformave/Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari Kryeministri Berisha ka prezantuar para medias vendase dhe ndërkombëtare ecurinë e procesit të realizimit të reformave në vend dhe progresin e vazhdueshëm drejt promovimit të demokracisë në një ekonomi tregu funksionale. Kryeministri Berisha zhvilloi disa intervista me mediat ndërkombëtare e hungareze që shprehën interesimin. Kryeministri ju përgjigj interesit të gazetarëve të Reuters TV, të BBC radio, si dhe televizionit hungarez DUNA TV, të cilët i njohu mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe ecurinë e reformave në vend. Kryeministri Berisha u shpreh se vizita e tij në Hungari është vizita në një vend tradicionalisht mik i Shqipërisë, me të cilin do të ketë bashkëpunim të përhershëm e pozitiv në fushat e ekonomisë, Forcat e Armatosura, shfrytëzimin e resurseve natyrore e njerëzore të Shqipërisë, si dhe për të inkurajuar bizneset hungareze për të investuar në Shqipëri. Për këtë, theksoi Kryeministri, janë ndërmarrë reformat ë thella për të bërë vendin tonë tërheqës për investitorët e huaj, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja. “Shqipëria, po tregon se ka një demokraci dhe ekonomi të tregut funksionale, shtylla këto tejet të rëndësishme për një vend të lirë e të zhvilluar”, tha Berisha. Më tej, Shefi i ekzekutivit u ndal edhe në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, si dhe në kontributin e tyre në misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Ballkan dhe më pas në Darfur, në ndihmë të forcimit të demokracisë në këto vende dhe përkrah NATO-s dhe standardeve të saj. “Qeveria shqiptare po punon shumë për të realizuar dy planet e saj më madhore, integrimin në NATO dhe BE”, shtoi Berisha. Ndërkaq, interesim të gjerë pati nga gazetarët mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe mbi pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimet e Serbisë në këtë aspekt. Kryeministri Berisha u shpreh se ai e shihte me optimizëm ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës, e cila ka tashmë njohjen dhe mbështetjen e shumë shteteve të fuqishme të botës. Ky proces do kohën e tij dhe maturinë e duhur politike nga klasa politike kosovare, por është një proces që do të ndërtojë një të ardhme të re për Serbinë dhe do të hapë një kapitull të ri për integrimin e saj dhe të popullit serb në Europë. Kryeministri Berisha theksoi me bindje se pavarësia e Kosovës është një kontribut mjaft i çmuar për stabilitetin, paqen dhe progresin e rajonit. Kryeministri Berisha, është pritur gjithashtu në një takim nga Kryetarja e Parlamentit hungarez, Katalin Szili, e cila shprehu konsideratën më të thellë për lidhjet midis dy vendeve dhe vullnetin e mirë për bashkëpunimin mes tyre në shumë fusha. Gjatë takimit, Kryeparlamentarja Szili shprehu vlerësimet mjaft pozitive për arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit në Bashkimin Europian, për nënshkrimin e MSA-së që është ratifikuar tashmë nga shumë vende, si dhe për ftesën e mundshme në Samitin e Bukureshtit. Gjithashtu, ajo u ndal në marrëdhëniet mjaft të mira midis dy parlamenteve tona, si dhe shprehu kënaqësinë që shumë biznese hungareze po investojnë ose kanë si projekt të investojnë në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë potencialet e saj të vyera. Duke theksuar se pavarësia e Kosovës hap perspektiva të reja stabiliteti dhe zhvillimi për mbarë rajonin, Szili shprehu bindjen se “rasti i Kosovës është unik në llojin e vet dhe nuk ka të ngjarë e nuk mund të krijojë precedent për asnjë vend tjetër”. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Parlamentit dhe qeverisë hungareze për integrimin dhe vizionin evropian të Shqipërisë, duke qenë edhe një nga vendet e para që ratifikuan MSA-në. Kryeministri vlerësoi edhe mbështetjen e dhënë në zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë në tërësi, në reformat dhe sfidat e saj. Gjatë takimit ai informoi mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në shumë fusha të zhvillimit të vendit, luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe informalitetit, luftën pa tolerancë kundër krimit të organizuar, si dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për të rritur mirëqenien dhe për ta afruar Shqipërinë në familjen e madhe europiane dhe euroatlantike. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e falënderoi Szili për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Budapest, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën dhe kontributin e heroit tonë kombëtar. Gjithashtu Berisha, zhvilloi një takim me liderin e djathtë të opozitës hungareze, Kryetarin e Partisë FIDDESZ, Viktor Orban, ku diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon, veçanërisht për pavarësinë e Kosovës, integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e çmuar të partisë FIDDESZ dhe mbështetjen që ata kanë dhënë për çështjen e vështirë të Kosovës. “Kjo çështje përfundoi me zgjidhjen më të mirë për mbarë rajonin, pavarësinë, si respektim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe si garanci për stabilitetin në rajon dhe respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë”, tha Kryeministri. Orban u shpreh se “pavarësia e Kosovës është një shprehje e vërtetë paqeje dhe një ndihmë për Serbinë për të parë të ardhmen e përbashkët evropiane”. Ai vlerësoi reformat e thella ekonomike që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, si dhe rezultatet e shkëlqyera në rritjen e admirueshme ekonomike të Shqipërisë në këto 2 vitet e fundit. Kryeministri Berisha dhe Orban u ndalën me tej në projektet madhore të Shqipërisë, integrimin në NATO dhe BE, si dhe në përshpejtimin e reformave në vend dhe vendosmërinë që qeveria po tregon në zbatimin e tyre. Kryeministri Berisha dhe zoti Orban u ndalën gjithashtu edhe në situatën politike në Hungari, vend i cili së shpejti do të përballet me një referendum mjaft të rëndësishëm politik
Berisha: Ftoj biznesin hungarez të investojë në Shqipëri, qeveria do të mbështesë nismat investuese dhe garantojë suksesin e tyre/Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Hungari, Kryeministri Berisha mori pjesë dje në një mëngjes pune, të organizuar nga Agjencia Hungareze për Investimet dhe Tregtinë (ITD Hungary), ku ishin të pranishëm drejtues të kompanive të mëdha hungareze, përfaqësues të korporatave bankare, të medias, miq të Shqipërisë, etj. Në prezantimin e tij, Kryeministri u ndal gjerësisht në reformat ekonomike dhe fiskale që kanë sjellë rezultate të prekshme. “Janë reduktuar procedurat burokratike për biznesin, është krijuar “One Stop Shop”, si dhe një bazë ligjore e standardeve evropiane për investimet. Ulja e taksave e ka bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, ndërkohë që vendosja e taksës së sheshtë 10 përqind, dixhitalizimi i procedurave me aplikimin e e-taksave, e-doganave, e-prokurimeve etj., lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit, informalitetit dhe krimit të organizuar, kanë sjellë rezultate të prekshme”, tha Berisha. Ai i njohu biznesmenët hungarezë edhe me nismën “Shqipëria një euro”, e cila krijon hapësira të mëdha për investitorët e huaj. Kreu i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria është një vend dinamik, me rritje ekonomike 6 përqind dhe me një shkallë kreditimi të ekonomisë ndër më të lartat. Këto rezultate dëshmohen edhe nga rritja e investimeve të huaja në vend. “Shqipëria paraqet potenciale të mëdha në shumë fusha, sikundër ofron tregun më të favorshëm, më të ri, dinamik e me koston më të ulët të punës në Europë, duke e shndërruar atë në një vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj”, tha Kryeministri. Sipas njoftimit për shtyp, ndër fushat me interes për të investuar në vendin tonë, Kryeministri përmendi turizmin, që me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar ofron mundësi të jashtëzakonshme, sektorin e energjisë, pasi jemi një vend me burime të shumta hidrike, si dhe fushën e shfrytëzimit të mineraleve, ku Shqipëria është e pasur në krom, baokside, nikel, etj. Kryeministri theksoi se vëmendje e veçantë i kushtohet edhe zhvillimit të korridoreve rrugore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë, Shqipërinë me Kosovën e më tej, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. “Bashkëpunimi për projektet rajonale rrugore, të cilat mund të realizohen me investime publike, private apo financime ndërkombëtare, është me interes të përbashkët për rajonin”, u shpreh me tej ai. Kryeministri i njohu sipërmarrësit hungarezë me procesin e privatizimeve që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, duke e konsideruar këtë vit, si vitin e privatizimeve të mëdha, të ALBPETROL, ARMO, INSIG, etj. Ai u shpreh se investitorët hungarezë janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë proces. Nga ana e tyre, biznesmenët hungarezë shfaqën interes për zhvillimet ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, veçanërisht për procesin e privatizimeve. Ata u interesuan gjithashtu për resurset turistike, energjinë dhe infrastrukturën, sidomos për portet dhe qarkullimin detar të njerëzve dhe mallrave. Duke i ftuar të investojnë në Shqipëri, në fushat me interes për ta, Kryeministri Berisha garantoi se do të kenë mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet dhe suksesin e tyre. “Shqipëria është një histori, ku të gjithë dalin të fituar”, deklaroi ndër të tjera Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›