E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të përfundojë sa më parë reforma zgjedhore

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka deklaruar dje se të gjitha partitë politike në vend, do të gjejnë frymën e bashkëpunimit për reformën zgjedhore. Presidenti Topi, nga komuna e Dajtit, ku ishte i pranishëm në përurimin e disa punimeve të kryera në këtë zonë, vuri në dukje se “gjithmonë ka patur debat në funksion të reformave elektorale dhe gjithmonë do të ketë. Debati është i mirëpritur, por e rëndësishme është që debati të ketë një fund”. “Në çdo lloj debati të tillë ka një proces të natyrshëm, por ka edhe një produkt, i cili duhet të vijë sa më shpejt”, theksoi Topi. Duke vënë në dukje detyrimet që kanë të gjitha partitë politike për realizimin e këtij procesi, z. Topi u shpreh se “të gjithë jemi gati të bashkëpunojmë, edhe në funksion të ftesës së anëtarësimit të vendit tonë në NATO”. “Ky është një nga detyrimet, por njëkohësisht ne duhet të jemi në kohë për t’i paraprirë zgjedhjeve politike të vitit 2009, sepse realizimi i një ligji elektoral në kohë dhe jo si herët e tjera, do t’i japë mundësi që të përgatitet infrastruktura zgjedhore, të përgatiten partitë politike dhe stafet e tyre”, tha Presidenti. Sipas tij, kjo do të bënte që zgjedhjet në vitin 2009 të jenë të rregullta, të pranuara nga të gjithë dhe të realizohen në standarde, pasi standardi i institucionit të zgjedhjeve është standardi institucionit kryesor, nga i cili rrjedhin të gjithë institucionet e tjera. Kreu i shtetit Presidenti Bamir Topi kërkoi që “të gjitha partitë të dëgjojnë propozimet e tyre dhe në përfundim të pranohet vullneti i përgjithshëm me qëllim që t’i shërbejë vendit”. Lidhur me ndryshimet në reformën zgjedhore nga dy partitë e mëdha PS-PD, pa praninë e partive të vogla, Topi vuri në dukje se “kurrësesi nuk mund të jap një përgjigje pozitive për këtë”. “Është e rëndësishme të merren në konsideratë jo vetëm partitë politike parlamentare të momentit, por të merret edhe mendimi i atyre partive që nuk janë në parlament, sepse zgjedhjet politike të 2009-ës, do të involvojnë shumë parti. Por me ndihmën e institucioneve që monitorojnë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm jo imponues, besoj se partitë do ta gjejnë frymën e bashkëpunimit”, përfundoi Topi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›