E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria dhe Kosova, kombinim perfekt për të ardhmen e rajonit"

Nëse Shqipëria dhe Kosova i fokusojnë forcat e tyre në zhvillimin e burimeve kryesore të energjisë elektrike, atëherë rajoni i Ballkanit do të ketë një të ardhme të sigurt për sa i përket furnizimit me këtë "mall". Parashikimi vjen nga drejtori për Shqipërinë dhe Maqedoninë i gjigandit energjetik austriak, EVN, Günther Ofner. Gjatë një takimi të zhvilluar pak ditë më parë në Vjenë, mes zv/ministrit kosovar të Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha, investitorëve austriakë e gjermanë, këta të fundit kanë shprehur interes për të kryer investime në sektorin e energjisë. Sipas Ofner, Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë për zhvilluar sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, duke qenë se ofrojnë përkatësisht burime të pasura hidrike dhe sasi të konsiderueshme qymyri, elementë bazë për rritjen e furnizimit. "Nuk ka asnjë mënyrë që Ballkani të sigurojë stabilitet energjetik pa përdorur qymyrin si burim kryesor të energjisë. Nëntoka e Kosovës, në këtë pikëpamje, është një thesar që duhet dhe do të shfrytëzohet", tha drejtuesi i EVN-së në takimin me zyrtarë të Kosovës. Lidhur me bashkëpunimin që dy vendet mund t‘i ofrojnë njëra-tjetrës, Ofner ka shtuar se "energjia e përfituar nga burimet ujore në Shqipëri dhe ajo e përfituar nga qymyri në Kosovë janë një kombinim perfekt për të ardhmen energjetike të rajonit në tërësi".

Garancia

Rreth 70 kompani të huaja austriake, gjermane dhe zvicerane kanë ofruar interesin e tyre për të investuar në Kosovë, konkretisht në sektorin e energjetik. Takimet mes tyre dhe qeveritarëve kosovarë, ku nuk mungonte dhe përfaqësuesi i kompanisë austriake, EVN, u zhvilluan pak ditë më parë në Vjenë, në kuadër të promovimit të investimeve në sektorin e energjisë dhe minierave në Kosovë. Prej kohësh është hedhur ideja e ndërtimit të termocentralit me qymyr në Kosovë, projekt i mbështetur fuqishëm edhe nga pala shqiptare. Në këtë pikë, rritja e kapaciteteve prodhuese mes dy vendeve, duke qenë se Shqipëria ofron kushte optimiste hidrike dhe Kosova atë të qymyrit, do të garantonin një shkëmbim normal të energjisë elektrike e si rrjedhojë furnizim të qëndrueshëm për të dyja vendet, madje sipas ekspertëve të huaj mund të krijojë garanci edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Kompania austriake EVN ka shprehur, ndër të tjera, interes në pjesëmarrjen e procesit të privatizimit të Shpërndarjes në KESH, ku qeveria mendon të shesë jo më pak se 51 për qind të aksioneve dhe jo më shumë se 76 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›