E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama si Enveri, ka kthyer Kongresin në gjykatë speciale kundër të moderuarve

23-08-2011 / Gazeta 55

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, në një analizë të publikuar në shtypin e sotëm shqiptar vlerëson se në themel të kërkesës së opozitës për ndryshime kushtetuese qëndron synimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të qenë faktor në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës vitin e ardhshëm. “Rama së pari synon të jetë faktor në zgjedhjen e Presidentit. Rama ka vendosur me konsensus me Berishën në 2008 për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Nga ana tjetër, thirrjet opozitare për Topin si kandidat të PS-së kanë komprometuar synimin për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Po ashtu, ndryshimi kushtetues i vitit 2008 për zgjedhjen e presidentit nuk është aplikuar ende asnjëherë deri tani”- thekson Islami, i njohur për qëndrimet e tij kundër linjës politike të ndjekur nga kreu i opozitës. Duke analizuar qëllimet që synon me “kursin e ri politik” kreu i PS-së, deputeti socialist thekson se “Rama kërkon të maskojë qëllimet e vjetra, duke ndërprerë bojkotin e parlamentit dhe përdorur njëkohësisht taktika bllokuese e obstruktive brenda Kuvendit”. “Në këtë rast, beteja politike opozitare do të zhvendosej në Kuvend (që duhet përshëndetur), ndërkohë që ngërçi politik do të mbetej dhe çështja e fitimit të statusit të vendit kandidat nuk do të avanconte. Duke renditur arsyet e dështimit të projektit të opozitës për “amendim të Kushtetutës”, ai gjykon se “Rama përmes kësaj taktikë blofuese kërkon të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia e tij direkte për rezultatet në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe nga debatet për dështimin e taktikës së veprimeve radikale dyvjeçare”.
Rama, sipas tij, kërkon gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga kërkesat e drejta të aleatëve lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2013. “Aleatët presin nga PS ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe/ose caktimin e një platforme të suksesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme dhe jo ndryshime kushtetuese”- thotë Islami. Sipas tij Rama përmes kësaj taktike kërkon të zhvendosë vëmendjen nga debati për bashkimin e së majtës, duke shpikur njëkohësisht teoritë e “bashkimit me popullin”, si dhe të maskojë spastrimet e radhës në forumet drejtuese të PS. Kjo sipas Islamit do të kalojë në disa faza, për të mbërritur në gjyqin special që pritet të bëhet në Kongresin e 5 nëntorit. “Nëse vazhdohet në këtë rrugë, jo vetëm PS-ja nuk fiton më 2013, por nuk ka gjasa që edhe PD-ja të mund t’i humbasë ato, sepse Rama nuk ia jep Berishës këtë mundësi, duke vazhduar të ecë në rrugën e gabuar që ka shkelur Berisha më parë, por të cilën Berisha e abandonoi më 2005 dhe po përpiqet ta ndryshojë në vijim. Ky lloj imitimi nuk mund të jetë “kurs i ri politik” dhe po qe se aplikohet ky lloj kursi, atëherë dështimi do të ishte shumë probabël, gjë të cilën me “këshillat” e mia po mundohem e do të përpiqem ta shmang, sepse realisht nuk e dëshiroj”- thotë më tej, deputeti socialist Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›