E Diel, 1 Nëntor 2026

Terrorizmi, gjykata britanike shpall fajtor Krenar Lushën

Një 30-vjeçar shqiptar u dënua me shtatë vjet heqje lirie nga gjykata britanike, pasi akuzohet për terrorizëm dhe lidhje me Al Qaeda-n. Emigranti Krenar Lusha u shpall fajtor për pesë nga dhjetë akuzat e kryera nga prokurorët anglezë. Tani, 30-vjeçarit do t’i duhet që gjysmën e dënimit ta kalojë në Angli dhe pjesën tjetër në Shqipëri, pasi pritet të deportohet. Por, mediat britanike po trajtojnë një tjetër skandal që ka të bëjë me shqiptarin. Kështu, një bankë angleze i ka dhënë atij një kredi të plotë prej 93 mijë paundësh, të cilët me deportimin në Shqipëri nuk do të mundet t’i shlyejë kurrë. Shqiptari 30-vjeçar arriti që të përfitonte një kredi prej 93 mijë paundësh nga banka “Nat West”, e cila dështoi që të kryente një kontroll të plotë për statusin që ai kishte në Mbretërinë e Bashkuar. Sasinë monetare të marrë, ai e përdori për të blerë një shtëpi në Derbi, ku më pas krijoi bazën për vendosjen e pajisjeve që do të ndërtonin bombën artizanale. Lusha gjithashtu arriti që të merrte lejen e qarkullimit angleze, të siguronte një punë që i jepte atij rreth 30 mijë paund të ardhura, si dhe iu ofrua një kredi e dytë, të cilën ai e refuzoi. Kur stafi i bankës u pyet për procesin që kishin kryer me klientin e tyre, njëri prej punonjësve që merreshin me dhënien e kredive i deklaroi trupit gjykues të Preston Crown Court: “Ai ishte një person me natyrë të sjellshme dhe nuk kishte asgjë të keqe në lidhje me këtë”. Krenar Lusha u ndalua nga policia britanike ndërsa ai ishte duke shkarkuar një video që tregonte se si mund të ndërtosh një bombë artizanale, në shtëpinë e tij, në muajin gusht të 2008. Agjentët gjendën të fshehura në banesë pajisje për ndërtimin e bombave, duke përfshirë edhe 14 telefona celularë dhe një video të hedhur në laptop-in e tij me titullin “Detonatorë celularësh” që tregonte sesi t’i përdorësh telefonat në krijimin e bombave artizanale. Ai gjithashtu kishte një video në kompjuterin e tij, që përfshinte një diagramë që tregonte se si të shpërtheje benzinë me një fishek “shotgani” dhe 71.8 litra benzinë në qilarin tij së bashku me dy kilogramë nitrat potasiumi, një nga përbërësit që shërbejnë për formimin e barutit. Gjyqtari i çështjes u shpreh gjatë dhënies së vendimit: “Për botën e jashtme ju ishit njeriu i gëzuar, punëtor, që interesi juaj ishte të ndërtonit një jetë më të mirë dhe të gjenin një nuse myslimane, por pas kësaj fasade, në gjykimin tim, kishte më shumë anë të errëta tek ju dhe kjo paraqitej me anë të dhunës, vdekjes dhe shkatërrimit”. Lusha në dhomat e chat-it dhe në bisedat që bënte me persona të tjerë shprehej se ai ishte një terrorist dhe snajper, dhe se dëshironte me çdo kusht që të shikonte çifutët dhe amerikanët që të vriteshin. Shqiptari ka qenë me shkollë në Katar ku edhe ka studiuar, ndërkohë që më pas në vitin 2000 erdhi në Britani si emigrant ilegal. Lusha u shpall fajtor nga gjykata britanike dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie për akuzat e terrorizmit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›