Shqipëria digjet, Flamuri krihet (dhe deklaron se në Shqipëri nuk preket vota) (FOTO)
Është e trishtë panorama këto ditë në Shqipëri. Qindra hektarë pyje po shkrumbohen, ndërkohë që Ministria e Brendshme kujdeset të na thotë se situata nuk është alarmante.
Ministri i Brendshëm, i krehur dhe i llakosur doli përpara mediave pas përfundimit të seancës së parë parlamentare për sesionin e ri për të deklaruar se situata nuk është alarmante në Shqipëri. Pasi u krekos pak, sulmoi opozitën që nuk po del në mbrojtje të Ministrisë së Brendshme që po arreston me dhjetëra zjarrvënës. Me pak fjalë nuk e paskemi nga Zoti, po nga robi. Po pse zoti ministër shqiptarët nuk i druhen ligjit e shtetit po vazhdojnë çdo vit të djegin Shqipërinë? Nuk të bën përshtypje kjo?
Pastaj ministri tha se krimi në vend është bërë zap, se 100 përqind e vjedhjeve janë zbuluar. Si për ti vënë kapak, deklaroi se në këto 7 vite nuk është prekur vota në Shqipëri. Me këtë mendje do na shkojë në zgjedhjet e përgjithshme. Mjerë votat e shqiptarëve.
PS: Mos ju duken si punonjësit e Nokës këta që po shuajnë zjarre tek fotot poshtë?





