“Shqipëria do jetë plotësisht aktive për rritjen e prezencës në rajonin e trazuar”
Konferenca e Londrës për AfganistaninZëvendëskryeministri dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme Ilir Meta, konfirmoi dje prezencën në rritje të Shqipërisë në Afganistan, për garantimin e paqes dhe stabilitetit atje. Pas finalizimit të konferencës për Afganistanin në Londër, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta tha se ka përcjellë te Sekretari i Jashtëm Britanik, njëherazi organizatori i kësaj konference, angazhimin e Shqipërisë për të kontribuuar në përmirësimin dhe administrimin e vendit. “U morën angazhime shumë të rëndësishme për të mbështetur rritjen e forcave të sigurisë për Afganistanin dhe njëkohësisht edhe për të përmirësuar administrimin e drejtimit të vendit. Natyrisht që edhe angazhimet e Shqipërisë kanë qenë që në fillim mjaft aktive, dhe sikurse ju e dini, pas publikimit të strategjisë së re të Presidentit amerikan Obama, edhe Shqipëria ka marrë angazhimet e saj shtesë për të ardhmen, si në drejtim të rritjes së prezencës së trupave ushtarake, ashtu edhe për sa i takon kontributit të saj që ka të bëjë edhe me aspektin tjetër të rindërtimit të vendit, duke u angazhuar për rindërtimin e shkollave apo në drejtim të mjekësisë, me dërgimin atje të një personeli mjekësor prej 20 vetash”, u shpreh Meta, njëherazi duke shtuar se Shqipëria do të vazhdojë të jetë aktive dhe të shtojë kontributin e saj. “Duke pasur parasysh se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë përfitues të angazhimeve madhore të NATO-s në Ballkan, dhe absolutisht që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i shton detyrimet e vendit për të treguar solidaritetin e tij me SHBA, me NATO-n dhe me të gjitha forcat progresiste në luftën kundër terrorizmit, në dobi të paqes kudo në botë”- deklaroi më tej Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta....