Shqipëria do të bëhet superfuqi e prodhimit të energjisë së rinovueshme
Kryeministri Berisha në forumin e energjetikës: “Besojmë në modelin e taksave të ulëta”
Nga forumi ekonomik i Tiranës për zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve energjetike, kryeministri i vendit Sali Berisha ka vlerësuar investimet e huaja në Shqipëri në këtë fushë si garantuesit më të mirë se Shqipëria është një terren i mirë për të investuar në fushën e energjetikës. Jo vetëm pozita gjeografike e favorshme, por edhe politika e taksave të ulëta kanë sjellë rritje ekonomike në vendin tonë, në një kohë krize në mbarë Europën
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në forumin e organizuar në Tiranë nga Konfindustria për sektorin e energjisë. Në këtë takim kanë marrë pjesë rreth 30 kompani të mëdha dhe u prezantuan 7 projekte madhore të energjisë në proces si dhe u diskutuan skemat e financimit të tyre. Qëllimi i forumit është diskutimi i modelit ekonomik të aplikuar në Shqipëri për nxitjen e investimeve në energji si dhe modelet e financimit afatgjatë për projektet madhore. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë të gjithë përfaqësuesve të kompanive të rëndësishme që operojnë në këtë fushën në vendin tonë, të cilat me projektet e tyre kanë shndërruar Shqipërinë në një vend shprese të vërtetë në rrafshin energjetik. “Shqipëria ka një pozicion të shkëlqyer gjeografik jo vetëm se është briri më perëndimor i Rajonit, porta e perëndimit drejt Ballkanit dhe e Ballkanit drejt perëndimit, por Shqipëria është e vendosur në një gadishull, që është shumë premtues me rezervat e tij të mëdha, me ambicionet për të kapërcyer sa më shpejt paudhësitë që e bllokuan dy dekadat e fundit. Ballkani do të jetë së shpejti një nga rajonet me rritjen më të shpejtë në Europë. Një nga rajonet me rritjen e konsumit të energjisë më të madhe. Fatmirësisht Ballkani është gjithashtu rajoni i rezervave kolosale energjetike dhe kur themi Shqipëria ajo duhet parë e tëra e integruar në një rajon me dinamizëm të madh me potenciale të mëdha”- u shpreh Berisha. Ai vuri në dukje se, Shqipëria do të bëhet një vend lider në Rajon në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në eksportin e saj. “Qeveria shqiptare ka firmosur me kompanitë e energjisë së vendeve të ndryshme të Norvegjisë, Italisë, Turqisë, Austrisë dhe shumë vendeve të tjera 127 kontrata, për ndërtimin e 363 hidrocentraleve nga 443 që janë për tu ndërtuar të vegjël të mesëm dhe të mëdha, pastaj në mikro ata janë të panumërt. Në këtë sistem dhe nga këta 363 hidrocentrale, me te cilët janë firmosur kontrata 53 kanë përfunduar. Dhjetar e dhjetëra të tjerë janë afër përfundimit e në ndërtim e sipër. Këto ditë fillojnë punimet e projektit më të madh në historinë e energjetikës shqiptare, që është projekti i Kaskadës së Devollit, por së shpejti po këto ditë fillon Kaskada e Fanit. Në të katër anët po ndërtohet, çka dëshmon për një perspektivë reale, të energjisë të kësaj fushe në Shqipëri” - tha ai.
Duke ftuar investitorët të kenë sytë nga Shqipëria për të investuar edhe më shumë në këtë sektor, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore dhe më shumë se 2/3 e tyre janë të pa shfrytëzuara. Gjithashtu, u shpreh kryeministri, Shqipëria ka potenciale të mëdha për të shfrytëzuar në fushën e hidrokarbureve, ka potenciale të mëdha eolike dhe solare. Duke u ndalur te lehtësirat në investim, kryeministri theksoi se qeveria e tij, është qeveri e taksave të ulëta. Qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo gjë për të shndërruar projektet tuaja në një histori të vërtetë suksesi. Qeveria ka vendosur një regjim fiskal të drejtë, 10 përqind taksën e sheshtë. Qeveria tani ka ndërmarrë një hap edhe më të drejtë, heqjen e çdo takse apo tarife mbi kapitalet e çdo lloji, mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që përdoret për prodhimin. Qeveria ka bërë një hap ekstra, ka hequr taksën ka hequr TVSH për çelikun dhe çimenton që përdoret për ndërtimin e hidrocentraleve, të gjitha këto i kemi bërë në një mënyrë që të mund të lehtësojmë ta bëjmë Shqipërinë më kompetitive, të ulim kostot të kontribuojmë modestisht në suksesin tuaj. Ju siguroj se kjo nuk është paketa e fundit. Jo. Ne jemi forcë politike që besojmë në taksat e ulëta. Ne besojmë dhe qëndrojmë të vendosur në platformën tonë. Ne kemi të drejtë të besojmë. Dua t’ju informoj ju se nga viti 2006 deri në vitin 2012 qeveria ime pas uljes së taksave ka inkasuar 9.2 miliard dollarë më shumë, sesa qeveria e mëparshme për të njëjtën periudhë. Ne kemi më shumë arsye të besojmë në uljen e taksave, nëse ne ulim taksat qëllimi më i parë është që ju të rrisim bizneset tuaja, të rrisim punësimin, për ne është një oportunizëm i jashtëzakonshëm të punësohen në sektorin e energjetikës dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Ne duam që Shqipëria të bëhet një vend lider në Rajon në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në eksportin e saj. Qeveria katër vitet që vijnë do të jetë shumë më aktive në partneritetin publik privat për ju. Qeveria do të ndërtojë linjën nën ujore me Italinë, është një shans i madh për Shqipërinë, që vendoset përballë një gjiganti të konsumit të energjisë”.