E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria do të ketë mbështetjen e të gjitha institucioneve çeke në proceset e integrimit në NATO dhe BE

Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e Senatit të Republikës çeke Premysl Sobotka.

Kryeministri Berisha i uroi zotit Sobotka mirëseardhjen, duke e konsideruar këtë vizitë një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat, Kryeministri Berisha dhe zoti Sobotka i vlerësuan të shkëlqyera. Shqipëria, tha Kryeministri, sheh tek Republika çeke një shembull suksesi dhe mund të përfitojë nga eksperienca e saj në nivele të ndryshme zhvillimi.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Çekisë në proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO dhe u shpreh se ndjehej mjaft i gëzuar teksa mësoi se Senati çek do të miratojë shumë shpejt Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e sigurisë e të rendit publik, si dhe në atë ushtarake.

Kryetari i Senatit çek, zoti Sobotka shprehu vlerësimet e larta për zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit. Shqipëria, tha zoti Sobotka, do të ketë mbështetjen e të gjitha institucioneve çeke në proceset e integrimit në NATO dhe në BE. Zoti Sobotka informoi Kryeministrin Berisha se Protokolli për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO po shkon drejt ratifikimit me konsensusin e të gjitha forcave parlamentare në Çeki. 

Përsa i përket integrimit në BE, zoti Svobotka u shpreh se edhe për Çekinë procesi i integrimit zgjati shumë të tepër, sesa integrimi në NATO dhe se Çekia, si një vend që do të ketë presidencën e BE-së, e konsideron Shqipërinë një element kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe një vend që e ka në natyrën e tij të jetë pjesë e familjes europiane.

Kryeministri Berisha u shpreh se marrëdhëniet e shkëlqyera në nivelin politik duhet të reflektohen edhe në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike. Të dy vendet dhe qeveritë, theksoi Kryeministri, duhet të inkurajojnë investimet çeke në Shqipëri, sepse mes dy vendeve ekziston një traditë e mirë bashkëpunimi, e cila duhet çuar më tej në shfrytëzimin e potencialeve të mëdha hidrike, energjetike, turistike, minerare që ofron Shqipëria.

Kryeministri u shpreh për mundësitë e një bashkëpunimi më të ngushtë në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, ku Shqipëria mund të përfitojë shumë nga eksperienca çeke. Komuniteti i shqiptarëve që janë formuar në universitetet çeke, u shpreh Kryeministri, kanë reputacion të lartë si intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme në Shqipëri dhe kjo duhet të na bëjë që të nxisim rritjen e numrit të studentëve shqiptarë që ndjekin universitetet çeke.

Më tej, biseda u përqendrua në zhvillimet në vend, për të cilën Kryeministri Berisha u shpreh se ka një klimë pozitive për miratimin ligjeve jetike për vendin. Kryeministri garantoi gjithashtu se Shqipëria do të përmbushë standardet e kërkuara për zgjedhjet parlamentare dhe se senatorë dhe vëzhgues çekë janë të mirëpritur për t’i ndjekur ato.


06/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›