E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maternitetet, aparatura të reja për ndjekjen e shtatzënive

UNFPA akordon 18 lloje të ndryshme pajisjesh mjekësore. Ministri Vasili: Do të ulet vdekshmëria foshnjore

Maternitetet në të gjithë vendin do të pajisen me aparatura të reja për të ndjekur shtatzëninë dhe mjete ngrohëse për foshnjat. Kjo është bërë e mundur falë një investimi nga Fondi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) që kap shifrën e 500 mijë dollarëve, ndërkohë që janë akorduar 18 lloje të ndryshme pajisjesh të nevojshme për maternitetet. Veçanërisht ky investim do të jetë më tepër i vlefshëm për maternitetet e rretheve, të cilat kanë pasur vazhdimisht probleme me mungesën e aparaturave për ndjekjen e shtatzënive, dhe kjo i ka detyruar mjekët që nënat me probleme t’i drejtojnë në maternitetet e Tiranës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mjekësore nga UNPFA për maternitetet e vendit, që është zhvilluar pranë Njësisë së Transportit Mjekësor të Helikopterëve. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Vasili e ka cilësuar UNFPA, një histori suksesi në Shqipëri. Sipas ministrit të Shëndetësisë, fokusi i saj ka qenë në shëndetin e nënës dhe fëmijës, indikatorë këto shumë të fuqishëm për të matur standardet e një sistemi shëndetësor. “Shëndeti i nënës dhe fëmijës është një nga sektorët që ka pasur arritje të shënuara, sa i takon uljes së vdekshmërisë amtare dhe foshnjore. Ky ka qenë një realitet i prekshëm, qoftë nga sondazhet e ndryshme, qoftë nga opinionet e ekspertëve ndërkombëtarë, ku klasifikimi nga revista “Newsweek” ishte një nga faktet emblematike. Kjo tregon se rruga në drejtim të së cilës ne ecim për uljen e këtyre dy indikatorëve është rruga e duhur”, - u shpreh Vasili. Sipas ministrit, gjithnjë dhe më shumë aparatura dhe teknologji e re po shkojnë drejt spitaleve të rretheve. Ndaj, ai shprehet se kjo do të thotë se demonopolizimi nga Tirana dhe dekoncentrimi i shërbimeve drejt spitaleve rajonale janë dhe do të mbeten një nga drejtimet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë. Pak ditë më parë, revista prestigjioze amerikane “Newsweek” në një publikim të saj që analizonte përmbushjen e të drejtave të grave në çështje që lidhen me cilësinë e jetës, e renditi Shqipërinë në vendin e 21 mes 165 vendeve të tjera. Ndërmjet 5 sektorëve të analizuar, shëndetësia rezulton e vlerësuar me 99.3 pikë nga 100 pikë të mundshme, duke e renditur vendin tonë të dytin pas Norvegjisë për lehtësitë që ofron ndaj grave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›