Shqipëria e Kosova përpiqen të parandalojnë “luftën” tregtare

Përfaqësuesit e doganave dhe bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës do të formojnë një sistem të shkëmbimit të informacionit për të kapërcyer mosmarrëveshjet tregtare. Sistemi do të përshpejtojë procedurat kufitare ndërsa mbështet standartet e cilësisë së prodhimeve dhe kërkesa të tjera, thanë ekspertët.
"Do të shkëmbejmë të dhëna elektronike për të bërë ... lejen e nisjes së kryer brenda territorit. Si në Shqipëri, që më parë e kishte një sistem të tillë, por gjithashtu në Kosovë," tha Naim Huruglica, drejtor i doganave të Kosovës.
Ekspertët thanë se tregu i Shqipërisë është i rëndësishëm për Kosovën, veçanërisht për eksportin e prodhimeve bujqësore. Më 2012, Kosova eksportoi mallra me vlerë 38 milionë euro në Shqipëri, ndërsa importoi nga Shqipëria mallra me vlerë 129 milionë euro.
Bllokada e kohëve të fundit e Kosovës për qumështin shqiptar për shkak të niveleve të larta të alfatoksinës shkaktoi pakënaqësi të veçantë në Tiranë. Shqipëria lëshoi një dekret që ndalonte prodhimet e huaja nga hyrja në vend pa një certifikatë të niveleve të pranueshme të alfatoksinës në to. Rrjedhimisht, Autoriteti Ushqimor Kombëtar urdhëroi të ndalej importi i 74 tonë mielli nga Kosova.
"Për fat të keq, kemi vënë re se autoritetet e agjencitë në vendet rajonale kryen mbrojtje të njëanshme të prodhimeve të vendeve të tyre," tha për SETimes Genc Ruli, ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Politikat mbrojtëse kanë disa përfitime në dëm të shumicës së të tjerave, sipas Fisnik Regica, studiues i lartë në Institutin RINVEST me qendër në Prishtinë.
"Arsyet kryesore për [mbrojtje] dalin të jenë të një natyre politike. Duket se grupet e interesit ia kanë dalë të shtyjnë rendin e tyre të ditës mbi interesat kombëtare," tha Regica.
Prodhuesit e patates dhe të miellit të Kosovës thanë se ata kishin pasur përvojë veçanërisht të keqe në përpjekjet e tyre për të eksportuar në Shqipëri, ndërsa kompanitë shqiptare të qumështit dhe çimentos thanë të njëjtën lidhur me eksportin në Kosovë.
"Lufta tregtare midis kompanive nga të dy vendet ka arritur një stad absurd ku autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës po mbrojnë bizneset e tyre," i tha Altin Goxhaj, kryetar i zyrës së mbrojtjes së konsumatorit, të Shqipërisë, një agjenci e pavarur që ofron ndihmë dhe mbrojtje ligjore ndaj konsumatorit.
Ekspertët lëvduan kështu takimin e javës së shkuar midis zyrtarëve të vendeve si një hap të parë për të hequr barrierat tregtare dhe për të ndjekur integrimin ekonomik që ata thanë do të përdorte potencialin e ekonomive në zhvillimin ekonomik.
Kjo është një situatë shumë delikate sepse nuk ka shpërdorim më të madh se sa të përdorësh sigurinë ushqimore si një mjet në luftën komerciale midis dy kompanive. Unë mendoj se palët duhet të negociojnë dhe kërkojnë për një strategji të përbashkët sepse qëllimi përfundimtar është interesi i konsumatorit," tha Goxhaj.
Reqica qe dakord dhe tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndjekin vendet e shumta me kultura, gjuhë, mentalitet dhe histori të ndryshme që ia kanë dalë të bashkohen në një treg të përbashkët evropian.
"Mundësimi i aksesit të barabartë në një treg gjithëshqiptar është një parakusht i nevojshëm për zhvillimin dhe rritjen e bizneseve në të dy vendet, që nga ana e vet do të prekë pozitivisht zhvillimin e ekonomive kombëtare," tha Regica. /Indeksonline/