E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria e Poshtme” e Fraser

12/01/2010  John Foster Fraser (1868-1936) është një sy vëzhgues i fillimit të shekullit të njëzetë, i cili midis memuareve të veta ka përfshirë dhe vështrimet mbi Shqipërinë, sidomos pjesën e poshtme të saj, ku elementet e eposit, etnografisë, traditës dhe dokeve shqiptare janë përshkruar me një stil të këndshëm, pse jo edhe me dashuri, të përshtatshëm për lexuesin anglo-sakson. Vlera e këtij libri nuk ndalet me prezantimin e Shqipërisë te lexuesi i huaj, por fare mirë mund t’i shërbejë dhe lexuesit shqiptar për të njohur këtë pjesë të Shqipërisë nëpërmjet këndvështrimit të një të huaji. . “Populli që të bie më shumë në sy janë shqiptarët. Burrat janë shtatlartë dhe zeshkanë, me tipare të pashme dhe të rregullta. Atje dhe, në të vërtetë, në të gjithë vendin, shqiptari më la përshtypjen e një sqimatari. Ai dëshiron që xhamadani i tij të jetë i qëndisur me serm e flori. Zakonisht, fustanella e tij është borë e bardhë. Opingat, rëndom prej lëkure të kuqe, kanë nga një xhufkë të madhe në majë ... për të cilën shqiptari mendon se është pjesë veçanërisht e rëndësishme e ‘kapardisjes’ së tij”,- vërente Fraser. Përkthimi i shënimeve të tij në shqip do t’i shtonte materiale me vlerë historiografisë shqiptare, e cila kohët e fundit po mbledh dhe shqyrton të gjitha veprat e autorëve të huaj, të cilët kanë shkruar apo studiuar Shqipërinë nga këndvështrime të ndryshme. Përshkrimet e tij për relievin, tipologjinë, virtytet dhe psikologjinë e shqiptarëve dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjët mund t’i shërbejnë dhe studiuesve nga fusha të ndryshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›