E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e gatshme të marrë statusin e vendit kandidat

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, mori pjesë dje në Samitin e nivelit të lartë të politikës europiane mbi Ballkanin, i organizuar nga “Miqtë e Europës”. Ky Samit i përvitshëm nxit debatin mbi situatën politike në rajon, i cili kohët e fundit po njeh një zhvillim shumë të shpejtë. Samiti i këtij viti mbahet pas disa zhvillimeve si zgjedhjet në Serbi dhe Maqedoni, vota kundër Kushtetutës së Bashkimit Europian në Irlandë dhe i ndikuar nga fakti se veçanërisht Presidenca sllovene e BE-së e ka vendosur perspektiven europiane të Ballkanit shumë lart në agjendën e saj. Kryeministri Berisha ishte një nga 6 pjesëmarrësit në Panel. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se ajo që i bashkon vendet e rajonit dhe që përbën edhe forcën tërheqëse në zhvillimin e tyre, është pikërisht procesi i integrimit në NATO dhe BE. Këto dy projekte, - tha Kryeministri Berisha - janë projektet e ëndrrave të këtyre vendeve, ndaj dhe ato po bëjnë maksimumin për implementimin e reformave dhe shndërrimin në realitet të këtyre projekteve. Duke u nisur nga fakti se këto vende përbëjnë 1 për qind të GDP-së së BE-së dhe se ato po punojnë në mënyrë të vrullshme për të fuqizuar reformat dhe forcuar ligjin në vendin e tyre, duke vendosur në rend të parë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë këto vende duhet të jenë dhe e meritojnë të jenë pjesë e BE-së, u shpreh Kryeministri. “Pas rënieve të diktaturave, vendet e rajonit përjetuan probleme të mëdha nga regjimet e mëparshme, vende që përjetuan probleme të mëdha pas rënies së perdes së hekurt, por forca më e gjallë dhe më e fuqishme ishte forca për procesin e integrimit. Shpeshherë e kam thënë se integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO ishin projektet e ëndrrave. Për këtë arsye kombet tona mbeten të angazhuar ndaj këtyre projekteve. Unë mendoj se kombet tona po punojnë seriozisht për implementimin e këtyre projekteve, të cilat janë harta e rrugës. Integrimi në NATO provoi se është një proces më i qëndrueshëm pasi NATO-ja nuk u përball me lodhjen e zgjerimit. Megjithatë pas rënies së Perdes së Hekurt, NATO-ja pati dilema të mëdha për vendet kandidate, por nuk shfaqi ndonjë shenjë lodhje nga zgjerimi”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se projekti i BE-së ka një plan masash shumë të qartë. “Nëse shikon të gjitha fazat ekziston një plan masash të qartë shkëlqyeshme, por kur ndodh diçka brenda tij duket se kthehet në një rezultat të madh. Fatmirësisht ne si rajon përfaqësojmë 1% të GDP-së së BE-së, përfaqësojmë një popullsi që është më pak se gjysma e Polonisë. Unë jam thellësisht i bindur se kriteret e Kopenhagenit, Partneriteti Europian dhe standardet europiane duhet të përmbushen plotësisht në vendet tona në mënyrë që të meritojmë proçesin e Stabilizimit, statusin e kandidatit dhe proçesin e anëtarësimit. Ky është interesi më i mirë në radhë të parë për qytetarët tanë. Në të gjithë këtë proçes shoqëritë dhe qytetarët tanë tani po bëhen më të lira dhe kjo është thelbësore për proçesin. Duke vijuar më tej Kryeministri Berisha u ndal edhe në ecurinë e reformave të qeverisë, duke theksuar se ekzekutivi po punon me vendosmëri për realizimin e tyre. “Së pari ne kemi rivendosur rendin dhe sigurinë. Bandat dhe organizatat kriminale famëkeqe shqiptare u shkatërruan. Më shumë se 206 grupe dhe organizata të krimit të organizuar u shkatërruan dhe u vendosën para drejtësisë. Më shumë se 900 drejtues e anëtarë të tyre u arrestuan. Tani vendi im ka indeksin e kriminalitetit më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian, 2.1 vrasje në 1 mijë njerëz. Vendi im po përballej me një korrupsion të kthyer në sistem. U premtova shqiptarëve një qeveri të vogël dhe ajo është reduktuar me 33 %, ndërsa nëpunësit civilë me 16 %. Unë premtova një qeveri në dietë dhe dua t’ju informoj se shpenzimet operative janë ulur me 31 %. Ne po punojmë për futjen e shërbimeve elektronike për të gjitha procedurat dhe rezultatet janë speektakulare. Kur shihni hartën Shqipëria duket një vend i vogël. Shqipëria është një vend i vogël, por ajo ka potenciale të jashtëzakonshme është një nga vendet më të pasura në botë me minerale, është një vend me pasuri të mëdha hidrike, është një “Norvegji”, e vogël në Mesdhe. Janë më shumë se 20 milionë kilovat/orë për t’u shfrytëzuar dhe një bregdet prej 400 km për t`u zhvilluar, theksoi më tej shefi i ekzekutivit Berisha. Arsimimi, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja dhe përkrahja e minoriteteve dhe procesi i zgjerimit të BE-së ishin katër shtyllat kryesore të diskutimeve në Samit. Komisioneri europian për zgjerimin Olli Rehn mbajti fjalën e hapjes. Ai u ndal në rëndësinë e mosndaljes së procesit të zgjerimit, në vendosmërinë që duhet të ndjekin të 7 vendet e Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar dhe implementuar reformat dhe përmbushur kriteret e Kopenhagenit, si dhe në mbështetjen që BE-ja do të vazhdojë t’i japë këtyre vendeve, të cilat në të ardhmen do të jenë në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›