E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lufta kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik nuk do të ndalet

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që lufta kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik të jetë tematika kryesore e punës së Komitetit Këshillimor për masat kundër krimit të organizuar.“Komiteti, i cili është këshillues në luftën kundër krimit të organizuar, duhet ta përqendrojë dhe të shpallë si tematikë kryesore të shërbimeve dhe të punës së tij luftën kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik”, tha Kryeministri gjatë mbledhjes së këtij komiteti, që u drejtua prej tij. Duke u ndalur tek problemi i trafikimit ai nënvizoi se “është e domosdoshme që problemi i trafikimit të ketë një trajtim tërësor dhe të përgjegjshëm, që nga shkaqet dhe përpjekjet për parandalimin e tyre, tek zbulimi, ndëshkimi, rikthimi i viktimave dhe trajtimin e tyre”. Përsa i përket angazhimit të Komitetit në problemin e krimit ekonomik, Kryeministri nënvizoi se”për zhvillimin ekonomik të vendit nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta kundër krimit ekonomik”. “Tre vjet më parë ata parashikuan rënie ekonomike, për shkak të vendosmërisë sonë për të ndërprerë fluksin e trafiqeve kriminale dhe të vendosmërisë sonë për të goditur organizata dhe bandat kriminale. Por, këto parashikime nuk ndodhën, ndonëse organizatat u goditën dhe kanalet e parave të tyre u bllokuan”, tha kreu i qeverisë, i cili nënvizoi se ajo që ndodhi në Shqipëri ishte rritja e kredisë bankare. Ai vuri në dukje se paratë kriminale u zëvendësuan me paratë e bankave dhe Shqipëria pati rritjen më të shpejtë, të dytën në botë, për sa i përket rritjes së ekonomisë. Rezultatet e kësaj lufte, u shpreh Kryeministri, bënë të mundur heqjen e pengesave për procesin e integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe kanë patur një impakt shumë pozitiv në imazhin e Shqipërisë. Kryeministri vlerësoi punën e institucioneve dhe agjencive në luftën kundër krimit të organizuar. “Puna e këtyre institucioneve, përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre, e shndërruan Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe në një vend me treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.
Berisha: Qeveria ime mbajti premtimet për rritjen e pagave të pensioneve/Pagat e arsimtarëve do të rriten me 14 %, pagat e infermierëve me 15 %, pagat e larta rriten me 4 %, rrogat mesatare rriten me 7 %, ndërsa rrogat e ulëta rriten me 17 %. Kryeministri Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se pas rritjes së pensioneve, qeveria do të vendosë për rritjen e rrogave në përputhje të plotë me programin e saj elektoral të tre viteve më parë. Në këtë kontekst Kryeministri u shpreh se rrogat e arsimtarëve rriten me 14 %, rritje kjo që mundëson dyfishimin e plotë vitin e ardhshëm për rrogat e rreth 43 mijë arsimtarëve në mbarë vendin. Kryeministri vlerësoi se pavarësisht se kjo rritje krijon një çrregullim të përkohshëm, pasi rrogat e arsimtarëve me këtë rritje sidomos me dyfishimin bëhen të njëjta ose pak më të larta se kategoritë e tjera të punonjësve që normalisht kanë një diferencë në rroga, ky çrregullim do të zgjidhet gjatë viteve në vazhdim. “Për ne e rëndësishme është të mbajmë premtimin elektoral dhe të dyfishojmë rrogat në vitin 2009”, u shpreh Kryeministri gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kryeministri theksoi se në të njëjtën masë do të rriten edhe rrogat e 12 mijë infermierëve dhe 4 mijë mjekëve, pagat e të cilëve do të rriten me 15 % duke përfituar një rritje të ndjeshme në përputhje me premtimin e qeverisë për dyfishimin e rrogave të infermierëve. “Rrogat e larta rriten aq sa është indeksi i inflacionit, 4 %. Rrogat e tjera rriten 7%, rrogat e ulëta rriten 17 %. Pra ne kemi ndjekur tërësisht linjat e premtimeve tona, në politikën e pagave, politikë kjo që nuk është se nuk krijon ndonjë deformim, por nga ana tjetër duke patur parasysh aftësinë e jashtëzakonshme të arsimit, ky sektor bëhet i preferueshëm për ata që shkollohen për mësimdhënie dhe po kështu infermierët që kanë një punë jashtëzakonisht të vështirë do të mund të shpërblehen më njerëzisht për punën e tyre shumë të vështirë që bëjnë”, nënvizoi më tej kryeministri. Por edhe punonjësit e tjerë kanë një rritje, vijoi kryeministri. “Pagat e ulëta në përputhje me premtimin pësojnë rritjen më të madhe, ato pësojnë një rritje prej 17 %. Si qeveri e zotuar për të ngushtuar diferencën brezhnjevniane nga paga të trashëguara nga paraardhësit tanë, rrogat e larta i rrisim vetëm 4%” - u shpreh kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›