Shqiperia e mbyll e 63-ta

Nëse Superliga po merr kritika nga shumë anë, të paktën kemi një ekip futbolli me të cilin mund të mburremi. Kjo është përfaqësuesja kombëtare, e cila e mbyll vitin në vendin e 63-të të renditjes botërore të FIFA-s.
Kuqezinjtë fituan 4 vende në krahasim me një muaj më parë dhe kjo falë barazimit 0-0 ndaj Kamerunit, kombëtare të cilën e kemi tani vetëm 2 vende para nesh.
Skuadra e drejtuar nga Xhani De Biazi ka pasur një ecuri të mirë në eliminatoret e kampionatit botëror, duke përfituar edhe nga fakti se 3 nga 4 ndeshjet e deritanishme i ka luajtur në shtëpi.
Ky është pozicioni më i mirë i skuadrës shqiptare për vitin 2012, ndërsa në janar ishte në vendin e 77-të. Natyrisht, ende jemi larg nga rekordi, pozicioni i 50-të në botë që patëm në maj të vitit 2011.
Për rivalët e grupit në eliminatoret e botëror ka pasur përgjithësisht përparim. Zvicra është e 12-ta, Norvegjia e 24-ta, Sllovenia e 49-ta, Islanda e 90-ta, ndërsa vetëm Qipro ka humbur 5 vende dhe është tani e 132-ta.
Në krye të renditjes botërore ndodhet si gjithnjë kohët e fundit Spanja, e ndjekur nga Gjermania dhe pastaj Argjentina, Italia, Kolumbia e Anglia. Ndërkaq, Brazili është një katastrofë e vërtetë, duke humbur 5 vende dhe duke zbritur në pozicionin e 18-të.