E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e "vakët" në panairin botëror

Për të katërtin vit radhazi Shqipëria merr pjesë në Panairin Botëror të Turizmit në Londër, "World Travel Market". Me këtë pjesëmarrje tentohet promovimi asaj çfarë ofron turizmi shqiptar. Stenda e Shqipërisë e ndërtuar në mënyrë modeste, shumë larg standardeve të fqinjëve tanë përbëhet nga tre komponentë. Agjencia Kombëtare e Turizmit, sektori privat dhe disa bashki kryesore të cilat në këtë panair janë prezantuar vetëm me disa broshura. Ndryshe nga vendet e tjera mungonin materialet promovuese në forme audiovizive, përfshi spotin publicitar, të transmetuar në CNN për prodhimin e të cilit janë shpenzuar mijëra euro. Nada Kallçiu, drejtoreshe e Agjencisë Kombëtare të Turizmit tha për "Top-Channel" se, "pjesëmarrja në këtë panair edhe këtë vit synon promovimin e turizmit shqiptar në të gjitha aspektet". Sipas saj, e veçanta që stenda shqiptare sjell në këtë panair është pjesëmarrja e një grupi valltarësh nga trupa e balerinëve të ardhur nga Teatri i Operës dhe Baletit. "Si një pjesëmarrje e vakët, modeste dhe pa strategji nga të gjitha subjektet shqiptare në këtë panair", kështu e ka komentuar paraqitjen e stendës shqiptare në panairin e Londrës, Dorian Gjalpi, ekspert për çështjet e turizmit. Krahas 50 mijë subjekteve nga e gjithë bota në këtë panair për herë të parë ka marrë pjesë edhe Kosova. Përmes një stende të ndërtuar thjesht ku është përdorur elementi fotografik, ideuesit e saj përcjellin mesazhin se Kosova ka se çfarë të ofrojë në turizëm kryesisht atë malor.

TCH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›