Sulmi ndaj mediave, Topi-Withers me një qëndrim të përbashkët
Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers kanë lëshuar dje një mesazh të përbashkët, i cili theksonte shqetësimin për problemet që kanë ndodhur së fundi në vend pas sulmeve ndaj gazetarëve dhe rritjes së tensionit politik. Në një takim që është zhvilluar në Presidencë, (takime që zhvillohen shpesh), Presidenti i Republikës dhe kryediplomati i Uashingtonit në Tiranë është diskutuar gjatë për problemet e fundit në vend. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidencës theksohet se "gjatë takimit u diskutua rreth situatës politike në vend, konsolidimit të institucioneve të pavarura, forcimit të shtetit të së drejtës, rreth gjendjes së mediave në Shqipëri në përgjithësi si dhe problemeve të shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit dhe të fjalës. Nga ana e tij, ambasadori Withers, pasi ndau të njëjtat mendime me kreun e shtetit shqiptar, theksoi edhe një herë interesin e qeverisë amerikane për situatën dhe zhvillimet politike, ekonomike dhe të demokracisë në Shqipëri, duke e konsideruar vendin tonë si aleatin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Takimi i djeshëm mes Withers dhe Topit ka shënuar në fakt një zhvillim të ri në vend, si përpjekje për të zbutur konfliktin politik në vend të acaruar shumë së fundmi si mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe mes qeverisë dhe shoqërisë civile pas sulmit ndaj gazetarëve. Presidenti i Republikës, para pak kohësh, ka lëshuar një mesazh të rëndësishëm për pajtimin mes politikës, por ka theksuar se ky pajtim nuk mund të bëhet me urdhër. Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Withers ka deklaruar pak kohë më parë në një takim me Unionin e Gazetarëve se sjellja ndaj mediave dhe shoqërisë civile është një test i rëndësishëm për qeverinë, e cila duhet të reagojë si një vend që e meriton denjësisht anëtarësinë në NATO, por edhe kandidimin për t‘u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Y. Pata
Y. Pata