Shqipëria "e vogël" hakmerret për 11 shkurtin, mposht 5-2 Maltën
Kombëtarja e Shqipërisë në futbollin e sallave ka regjistruar fitoren e parë në eliminatoret e Evropianit 2010 që po zhvillohen në Maltë. Në takimin e tyre të dytë në Grupin 3, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama mposhtën 5-2 përfaqësuesen malteze, që është organizatorja e aktivitetit. Lumanaj, Halimi, Hoxha dhe Qopekaj (me dy gola të realizuar), në një farë mënyre kanë marrë hak për barazimin në "Ta‘ Qali", ku më 11 shkurt Kombëtarja e drejtuar nga Ari Han nuk arriti të merrte më shumë se 1 pikë. Këto ishin tri pikët e para të përfaqësueses së minifutbollit në këto eliminatore. Ata humbën 3-0 në ndeshjen e parë të luajtur me Greqinë, e cila shihet si pretendentja kryesore për të fituar grupin. Triumfi ishte pothuajse një formalitet edhe duke u bazuar në rezultatin e përpara një viti, ku në eliminatoret e Botërorit Shqipëria fitonte 2-1. Fusha në pallatin e sportit "Paolo Korradino" konfirmoi gjithçka: pas një fillimi të mirë, ku u imponoi kundërshtarëve ritmin e saj në lojë, skuadra jonë kryesonte me rezultatin e pastër 5-0. Megjithatë, për shkak të tolerimit në minutat e fundit, vendasit arritën të shënonin dy herë. Në ndeshjen kundër Maltës, të besuarve të Damas nuk u mungoi as mbështetja e tifozerisë nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në ishull. Të dielën, më datë 22 shkurt, Kombëtarja zhvillon takimin e saj të fundit, ku përballë do të ketë Gjeorgjinë.