Shqipëria në karnavalet e Dubrovnikut
Festa e karnavaleve në Dubrovnik të Kroacisë mblodhi për disa ditë në këtë qytet artistë nga gjithë Ballkani. Cirku i Metropolit përfaqësoi Shqipërinë në këtë aktivitet nga 13 shkurti deri më 15 shkurt 2009. Rifestimi i karnavaleve në Dubrovnik vinte pas rikonstruksionit të bërë në qytet pas luftës me ish-Jugosllavinë. Grupi i artistëve të cirkut metropolitan të Tiranës mori pjesë në galanë e organizuar në kalanë historike në të gjithë gjatësinë e rrugës, nga hyrja në portalin e kalasë, deri te katedralja ku ishte ngritur podiumi, në të cilën performuan të gjitha grupet e ftuara nga Shqipëria, Italia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria etj., të cilët së bashku përbënin 100 të ftuar. Trupa e cirkut metropolitan ishte e përbërë nga 25 artistë, të cilët ngritën në podium flamurin kombëtar, duke demonstruar një kolazh të profileve të akrobacisë.