E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria është përmbytur nga investimet e huaja

Para tre- katër ditësh, një lajm po qarkullonte online. Bëhej fjalë për një vlerësim të një agjencie të Kombeve të Bashkuara, ku thuhej se Shqipëria është e dyta në Europën Juglindore, që ka marrë më shumë investime të huaja në vitin 2010. Gazeta Tema e kontrolloi raportin dhe për Shqipërinë në të gjithë atë raport gjeti vetëm fjalinë se Shqipëria i ka kaluar mbi 1 miliard dollarë investimet të huaja në vitin 2010 duke shënuar rekord. Gazeta tentoi të gjente në faqen e kësaj agjencie ndonjë informacion më shumë se ku janë përqëndruar këto investime, çfarë i kanë sjellë ekonomisë, a janë investime në perspektive apo janë realizuar brenda një viti apo jo. Nuk gjetëm asgjë. Si rregull, nëse në ndonjë vend bëhen kaq shumë investime, media do e kishte kollaj të bënte një identifikim të shpejtë të paktën të disa investimeve gjigante. Nuk ka asnjë të tillë. Ne e dimë që kryeministri e ka pasion e flet për çmendurira prej miliarda dollarësh për investimet e huaja. Fjala bie, para pak ditësh mblodhi një agjenci qeveritare e tha se në Kavajë do investohen dy projekte gjigante në turizëm, secili nga 1 miliard euro. Është qesharake të mendosh se investimet janë gjithmonë nga 1 miliard euro. Po kuptohet që kjo është një fjalë goje e kryeministrit. Bile, sa më keq shkon ekonomia e vendi, aq më shumë rriten shifrat që reklamon kryeministri, madje shkojnë në çmenduri. Se kush do hedhë 1 miliard euro në Kavajë, këtë nuk e di askush. Thuhet se janë nja dy kompani, njëra në Zvicër e tjetra në Angli, për të cilat nuk para ekziston informacion gjëkundi. Dhe mos harrojmë se 1 miliard euro është një shifër e përbindshme. Për ne ky raport i një agjencie të OKB nuk përbënte lajm përpara pak ditësh. Arsyeja është e thjeshtë: duke qenë kaq burokratike dhe e korruptuar, OKB ka zgjedhur të kalojë në një plan B, atë të funksionimit me një zyrë e jo me kaq shumë agjenci që vetëm rrjepin para. Shqipëria duhej të ishte një projekt pilot. Por sot mediat e tjera janë marrë me këtë raport, duke theksuar se Shqipëria po thyen rekorde. Vetëm Top Channel ka hedhur në dyshim raportin duke theksuar se si ka mundësi që gjithë ky investim nuk është përkthyer në mirëqenie dhe punësim. Është e qartë se ky raport është si një raport i mëparshëm i një agjencie të OKB, ku Shqipëria merrte medaljen e artë për prokurimet. Kushedi sa herë e ka theksuar kryeministri Sali Berisha një lajm të tillë. Në çdo konferencë e dalje publike ai e ka përmendur medaljen e artë të OKB për prokurimet. Vetëm se në atë vjeshtë, arbitri ynë kryesor, Komisioni Europian, që na monitoron për shkak se kemi synim anëtarësimin në klub tha se prokurimet janë një katastrofë e vërtetë. Aty është një fole e korrupsionit.

Por jemi të sigurt se kryeministri Sali Berisha do e përdorë këtë shifër kushedi sa herë. Sesi mund të flasë një agjenci e thotë investimet janë mbi 1 miliard, nuk e dimë. Investimet kanë një shifër fikse dhe kjo është e qartë. Por njësoj si me prokurimet, edhe këtu kemi marrë një medalje të artë. Veçse shqiptarët e dinë se kjo nuk është një medalje, por thjesht një vlerësim për të marrë pagën ca rrogtarë. Shifrën e investimeve të huaja nuk ka nevojë të na e thotë një i huaj. Atë duhet të dimë vetë e ta monitorojmë çdo ditë. Jo siç bën kryeministri Sali Berisha, të cili i mbërrin një mashtrues në zyrë e thotë se do ketë investimet miliardëshe. Në këtë logjike, më dy projektet nga 1 miliard dollarë në Kavajë, vitin tjetër do lëmë pas çdo vend të planetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›